Kovaçevski tregon prioritetet e Qeverisë së re
Kreu i LSDM-së njëherë edhe mandatari për formimin e Qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski pas dorëzimit të programit qeverisës në Kuvend tha se ekzekutivi do të përbëhet nga kuadro të LSDM-së, BDI-së, LDP-së dhe Alternativës.
“Përbërja e qeverisë i ka emrat të cilat dje i kumtuam nga LSDM-ja, BDI-ja, LDP-ja dhe nga Alternativa. Resorët janë në përputhje me përgjegjësitë e marra në Qeveri dhe në përputhje me Programin e Qeverisë. Programi është vazhdimësi e legjitimitetit zgjedhor të fituar në zgjedhjet e 2020 duke inkorporuar angazhimet ekonomike të partnerit të ri të koalicionit Alternativa, si dhe synimet e reja programore që dolën nga sfidat e reja me të cilat përballet kjo qeveri”, tha Kovaçevski.
Kovaçevski tha se prioritet kyç dhe i parë i Qeverisë do të jetë ballafaqimi me krizën energjetike në vend.
“Prioritet i dytë është ruajtja e standardit të jetesës së qytetarëve dhe kompanive në kushtet e krizës ekonomike që vjen nga kriza energjetike dhe i treti është përmbushja e objektivave për sa i përket projekteve madhore infrastrukturore të miratuara në Buxhetin e vitit 2022, si dhe zgjidhjet ligjore, të cilat i miratoi Kuvendi i RMV-së në dhjetor”, tha kryetari i LSDM-së dhe mandatar Kovaçevski.