Rajon - Botë

SHBA arrin rekord të ri të të shtruarve në spital me COVID-19

Shtrimet në spital të personave me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara arritën rekordin më të lartë të hënën, sipas një raporti të agjencisë së lajmeve Reuters, ndërsa një rritje e infektimeve të shkaktuara nga varianti shumë ngjitës Omicron po rëndon sistemet e kujdesit shëndetësor në disa shtete amerikane. Rezultuan 132.646 persona të shtruar në spital me COVID, duke ia kaluar kështu rekordit prej 132.051 të vendosur në janar të vitit të kaluar.

Shtrimet në spital janë rritur në mënyrë të qëndrueshme që nga fundi i dhjetorit, duke u dyfishuar në tre javët e fundit, pasi varianti Omicron shpejt ia kaloi variantit Delta si versioni dominues i virusit në Shtetet e Bashkuara. Shtetet Dellauer, Illinoi, Mein, Merilend, Mizuri, Ohajo, Pensilvania, Puerto Riko, Ishujt Virgin, Vermonti, Virxhinia, kryeqyteti Uashington DC dhe Wisconsin kanë raportuar kohët e fundit nivele rekord të pacientëve të shtruar me COVID-19, sipas analizës së agjencisë së lajmeve Reuters.

Megjithëse ndoshta më pak të rënda, zyrtarët e shëndetësisë kanë paralajmëruar se numri i madh i infektimeve të shkaktuara nga varianti Omicron mund të mbingarkojë sistemet spitalore, disa prej të cilave tashmë kanë pezulluar ndërhyrjet jo urgjente, ndërsa luftojnë për të menaxhuar rritjen e numrit të pacientëve, ndërkohë që kanë edhe mungesa në personel.

Mesatarja shtatëditore për rastet e reja është dyfishuar në 10 ditët e fundit në 704.000. Shtetet e Bashkuara kanë mesatarisht mbi gjysmë milioni raste për gjashtë ditët e fundit, sipas një raporti të agjencisë Reuters. Vetëm shtatë shtete nuk kanë vendosur rekorde për rastet e të infektuarve me COVID-19 në vitin 2022 – Arizona, Aidaho, Mein, Montana, Dakota e Veriut, Ohajo dhe Uajoming, sipas një raporti të agjencisë Reuters.

Kryeqyteti Uashington, D.C., po udhëheq vendin me infektime të reja gjatë javës së kaluar në bazë të raportit të popullsisë, i ndjekur nga Roud Island, Nju Jorku, Nju Xhersi, Masaçusets dhe Vermonti. Vdekjet janë mesatarisht 1.700 në ditë, nga rreth 1.400 ditët e fundit, por sidoqoftë brenda niveleve të parë në fillimet e këtij dimri./VOA