Maqedoni

Shpëtohen nëntë persona të cilët kishin humbur në Kodrën e Diellit

Nga MPB njoftojnë se dje ekipet policore kanë shpëtuar kanë shpëtuar nëntë persona të cilët kishin humbur në Kodrën e Diellit.

“Sot (9 janar) në ora 10:30, dy qytetarë tetovarë të moshës 15 dhe 19 vjeç në SPB Tetovë kanë raportuar se për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe mjegullës së dendur në Korën e Diellit, afër skiliftit të ri GE, ku janë ngjitur për të bërë ski, kanë humbur dhe më pas nuk e dinin saktësisht se ku ndodhen.

Menjëherë zyrtarët policorë të Policisë Kodra e Diellit dhe ekipet e “Elem Tours” kanë ndërmarrë masat përkatëse për gjetjen e tyre dhe kanë gjetur dy shtetasit e Tetovës, si dhe 7 persona të tjerë nga Shkupi, Kumanova dhe Kosova fqinje të cilët po ashtu kanë humbur në atë zonë.

Nëntë personat e moshës 15 deri në 45 vjeç janë kthyer shëndoshë e mirë rreth orës 12:30, njofton MPB.