Lajmet e reja

Mbi 1 milion persona të infektuar brenda një jave me Omicron

Numri i të infektuarve gjatë një javë ka shkuar në 1.44 milionë, pas përhapjes së Omicron në mbarë botën. Omicron pritet të shkaktojë një numër më të madh rastesh të infektuara për shkak të lehtësisë së tij për tu përhapur.

Vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë shënuar rekord të infektuarish gjatë ditëve të fundit, ndërsa rastet në Shtetet e Bashkuara janë trefishuar që nga 1 dhjetori. Kina ndërkohë ka shënuar rritje të rasteve për të katërtën ditë radhazi.

Pavarësisht përhapjes së shpejtë të koronavirusit, megjithatë, numri i vdekjeve që i atribuohen Covid-19 nuk është rritur dhe mbetet më i ulët në krahasim me valët e mëparshme pandemike. Ndërsa komuniteti shkencor vlerëson se Omicron po bëhet varianti dominues në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, që nga mesi i tetorit, shkalla mesatare 7-ditore e vdekjeve në mbarë botën ka qenë rreth 7000 viktima në ditë.

Nga 1 tetori e deri dje, për gati tre muaj, mesatarja 7-ditore e vdekjeve globale ka tejkaluar 8000. Në prill, kur varianti Delta u përhap në shumë vende, shkalla mesatare e vdekjeve gjatë një jave varionte midis 11,000 dhe 13,000 në ditë. Gjatë valës së dimrit të kaluar, pra në dhjetor 2020 dhe janar 2021, numri i vdekjeve ka qenë 14 mijë.

Sipas studimeve në Afrikën e Jugut dhe në Mbretërinë e Bashkuar, Omicron mund të jetë më i lehtë në krahasim me Delta, duke ulur numrin e të shtruarve në spital. Megjithatë, qeveritë në mbarë botën e kanë bërë të qartë se nuk ka vend për vetëkënaqësi, pasi numri i madh i rasteve mund të mbingarkojë sistemet shëndetësore.