Maqedoni

Bezhoska: Kursi devizor i denarit është i qëndrueshëm, ndërsa rezervat devizore janë adekuate

Kursi devizor ka disa vite që është stabil dhe do të jetë stabil edhe në të ardhmen. Garanci për këtë është niveli i lartë i rezervave devizore, por edhe shumë instrumente të tjera me të cilat disponon banka qendrore për të cilat nuk do të ketë hamendje që t’i përdorë në mbrojtjen e kursit, deklaroi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska – Bezhovska në një intervistë për TV 24. Ajo bën të ditur se kursi stabil i denarit është strategjia më e optimale për ekonominë tonë.

“Ky nuk është qëndrim vetëm i Bankës Popullore. Ky është qëndrim edhe i institucioneve ndërkombëtare financiare. Para pak kohësh, Fondi Monetar Ndërkombëtar qartë e tha qëndrimin e tij, në të cilin theksoi se kursi i denarit është stabil, se stabiliteti i kursit është spiranca kyçe e stabilitetit të përgjithshëm makroekonomik, si dhe se banka qendrore ka nivel adekuat të rezervave devizore për mbrojtje të stabilitetit të kursit”, theksoi guvernatorja.

Siç bëri të ditur Kabineti i guvernatores, Angellovska – Bezhoska theksoi se stabiliteti i kursit është komponenta kyçe te stabiliteti i përgjithshëm makroekonomik te ne dhe është e mirë publike nga e cila secili qytetar i shfrytëzon përfitimet. Ajo theksoi se një nga sfidat me të cilat përballet banka qendrore janë spekulimet, që për fat të keq paraqiteshin në disa raste. Theksoi edhe se secili qytetar ka përgjegjësi shoqërore drejtë të mirave publike, ndërsa përhapja e spekulimeve nuk është në interes të askujt, përkundrazi, kjo është në dëm të qytetarëve.

Angellovska – Bezhoska thekson se instrumenti kryesor me të cilin mbrohet stabiliteti i kursit – rezervat devizore, mbahen në nivelin historik më të lartë.

“Sipas të dhënave të fundit të disponueshme, rezervat devizore arrijnë në 3.5 miliardë euro, ose rreth 30 për qind e PBV-së. Sa për ilustrim, në periudhën 2008-2009, gjegjësisht në krizën financiare globale, të cilën edhe ne e përballuam me sukses dhe kur ruajtëm stabilitetin e denarit, niveli i rezervave valutore ishte 1,4 miliardë euro, ndërsa pjesa e tyre relative në Prodhimi Bruto Vendor ishte rreth 22 për qind. Të gjithë treguesit sipas të cilëve vlerësohet përshtatshmëria e nivelit të rezervave devizore tregojnë në një nivel plotësisht të përshtatshëm”, theksoi Angellovska-Bezhoska.

Guvernatorja shtoi se në vitin 2020, kur filloi pandemia, Banka Popullore arriti të nisë një iniciativë rajonale në të gjithë Ballkanin Perëndimor, për herë të parë në histori, për të siguruar qasje në likuiditetin devizor nga Banka Qendrore Evropiane. Kjo do të thotë se nëse kemi nevojë për likuiditet devizor shtesë, mund t’i drejtohemi Bankës Qendrore Evropiane dhe të marrim mbështetje. Megjithatë, nuk ka nevojë për këtë, theksoi guvernatorja, sepse kemi nivelin e nevojshëm të rezervave valutore.