Lajmet e reja

Bekteshi: Nga e mërkura ndalim i plotë i funksionimit të objekteve gastronomike, të mos bëhen rezerva shtesë, mbështetja e sektorit do vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme

Duke filluar nga 7 Prill 2021 (e Mërkurë), të gjitha objektet hotelierike (kafene, restorante, bare, klube) do kenë ndalesë të plotë të vizitorëve.
Kjo masë, siç u vendos sot nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me propozim të Komisionit për Sëmundje Infektive do të jetë e vlefshme deri më 20 Prill 2021 (e Mërkurë), njoftoi kështu Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në profilin e tij në Facebook.

“Ministria e Ekonomisë si institucion kompetent për zhvillimin e sektorit të turizmit dhe hotelierisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut informon të gjitha palët e përfshira se për shkak të situatës aktuale me pandeminë e virusit Corona jemi të detyruar si Qeveri të ndërmarrim hapa konkretë në mënyrë që të mbrojmë shëndetin e të gjithë qytetarëve.
Hotelet, motelet, hostelet, pansionet dhe objektet e tjera të akomodimit ose pikat e karburantit që kanë zona të shërbimit të ushqimit gjithashtu do të kenë ndalesë
të plotë që të pranonjnë vizitorë. Objektet që përgatisin dhe shesin ushqime mund të shesin on line ose me porosi përmes telefonit dhe të dërgojnë ushqim ose porosia të jipet jashtë restorantit, mbi banak.

Përjashtim bëjnë restorantet në kuadër të hoteleve, moteleve, bujtinave dhe pansioneve për ata persona që janë të akomoduar si mysafirë, si dhe objektet hotelierike në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe në Aeroportin “Shën Pali” në Ohër,njoftoi Ministri dhe shtoi se Ministria e Ekonomisë është gjithmonë në mbështetje të sektorit, por pret mirëkuptim dhe bashkëpunim për të kapërcyer këtë situatë.

“Rekomandojmë që të gjitha objektet hotelierike të mos bëjnë furnizime shtesë sot dhe nesër në mënyrë që të shmangen humbjet më të mëdha nga kufizimet e paraqitura në punë. Ministria e Ekonomisë është duke punuar vazhdimisht për të mbështetur sektorin e turizmit dhe hotelierisë në mënyrë që të menaxhohet më lehtë me efektet negative të pandemisë. Mbështetja do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim. Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë të krijojë masa për të mbështetur sektorin. Gjëja më e rëndësishme në këtë moment është shëndeti i qytetarëve”, deklaroi Ministri Bekteshi në profilin e tij në Facebook.