Shqipëri

“Kur PD të vijë në pushtet do të hedhë poshtë Ballkanin e Hapur”, Berisha: Protestat vijojnë

Me fjalën e ish-kryeministrit Sali Berisha është përmbyllur pasditen e së hënës protesta e thirrur kundër nismës rajonale “Open Ballkan”. Për këtë nismë, Berisha u zotua se me të ardhur në pushtet, Partia Demokratike do të hedhë poshtë të gjitha aktmarrëveshjet që janë bërë në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.

Sipas tij, treshja Rama, Vuçiç, Zaev po përpiqen ta paraqesin “Open Balkans” si një politikë që mbështet nga SHBA, por shton ish-kryeministri e kundërta është e vërtetë.

“SHBA mbështesin vetëm bashkëpunim mes vendeve të barabarta, jo mes vendeve sovrane dhe vendeve të nënshtruara. SHBA është faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan por Ballkani i Hapur ka një kumbar ai është multi-miliarderi Soros. Me këtë rast, më lejoni t’i bëj thirrje kongresit të SHBA, qeverisë të SHBA, të ndalojë çdo veprimtari politike që dublon politikën e SHBA në Ballkan të Soros…”

Ish-kryeministri ka paralajmëruar po ashtu Edi Ramën që mos të guxojë t’i dalë përpara asaj që ai e cilësi si shumicë, pasi “nuk ka forcë që na ndalon në rrugën tonë.” Ndërsa u bëri thirrje mbështetësve të tij që të qëndrojnë të vendosur, Berisha lajmëroi se kjo ishte protesta e parë e cila do të pasohet nga shumë të tjera që, sipas tij, do të jenë edhe me program.

“Protestat do të jenë të pafundme derisa të çlirojmë Shqipërinë nga narkoshteti e të rikthejmë shpresën për çdo shqiptar.” /abcnews.al/