Kolumna

Kolumnë e ministrit Fatmir Besimi: Liberalizim më i madh tregtar për aftësi më të mëdha konkuruese dhe për investime të reja

Shkruan: Fatmir Besimi, ministër i financave në RMV

Zinxhirët globalë të furnizimit, nevoja për lehtësimin e shkëmbimit tregtar që do të kontribuojë drejt rritjes së aftësisë konkurruese, tregtisë dhe investimeve janë disa nga temat kryesore që ekonomistët debatojnë kohëve të fundit. Veçanërisht, kjo temë mori rëndësi të madhe me ndërprerjen e këtyre proceseve gjatë valës së pandemisë. I dukshëm ishte edhe integrimi i madh real i tregjeve dhe zinxhirëve furnizuese dhe ndërlidhja e tyre, duke treguar nevojën për përpjekje të shumta për lehtësimin e këtyre proceseve.

Përkatësisht, vendi ynë me vendosjen e modelit ekonomik zhvillimor dhe varësisë nga shkëmbimi tregtar, dhe si ekonomi e vogël dhe e hapur ka interes të veçantë për politikat tregtare që janë të hapura dhe të liberalizuara. Qasja në më shumë tregje dhe vende, e shoqëruar me valorizimin përkatës së përparësive krahasuese që ka vendi ynë, do të rezultojë në një nivel më të lartë të investimeve të huaja, përmirësim të bilancit tregtar, rritje të eksportit, vende të reja të punës, rritje të produktivitetit dhe përmirësim të standardit të jetesës së qytetarëve.

Duke u bazuar në këto postulate, këtë javë në Qeveri miratuam propozim ligjin për ndryshimin e Ligjit për tarifën doganore. Kjo masë është dizajnuar duke anticipuar kontekstin makroekonomik dhe kohor të ekonomisë sonë dhe asaj globale. Me anë të këtij ligji u zvogëluan dhe shfuqizuan në mënyrë të përhershme normat doganore për gjthsej 258 produkte që importohen në vendin tonë. Gjatë përzgjedhjes se shenjave tarifore të propozuara sa i përket zvogëlimit të tyre janë respektuar kritere me të cilat do të maksimizohet përfitimi ekonomik dhe njëkohësisht mbrojtja e prodhimtarisë vendase. Me implikimin fiskal prej 810 milionë denarëve ose 13 milionë eurove nga të hyrat e përgjithshme të arkëtuara prej 17.5 milionë euro në bazë të këtyre tarifave, masa paraqet zvogëlim prej 74% të ngarkesës së deritanishme fiskale në bazë të këtyre tarifave. Përkatësisht kjo masë paraqet pjesëmarrje prej 12% në detyrimet importuese të përgjithshme të arkëtuara në vitin 2020 me vlerë rreth 110 milionë eurove. Kjo tregon vëllimin dhe masën e përfshirjes me këtë hap, në favor të lehtësimit të barrës doganore të kompanive tona.

Vlerësojmë se këto masa të plotësuara me marrëveshjet tashmë ekzistuese multilaterale dhe bilaterale për liberalizimin e tregtisë si dhe Marrëveshjen për stabilizim dhe asociim me BE, EFTA, CEFTA dhe marrëveshjet bilatrale me vende si Turqia dhe Ukraina, që munësojnë qasje në treg prej më shumë se 650 milionë konsumatorëve, si dhe skemat garantuese dhe kreditore siç janë kreditë për përkrahjen e eksportit, garancitë doganore, si dhe Fondi garantues, Fondi për zhvillim në Bankën Zhvillimore që janë paraparë në Planin për rritje të përshpejtuar do të kontribuojnë për rritjen shtesë të atraktivitetit të vendit tonë për investitorët e huaj dhe rritjen e kapacitetve eksportuese të kompanive vendase dhe të huaja që tashmë operojnë në vendin tonë.

Tregtia ndërkombëtare ka rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike

Një pjesë e rëndësishme e hulumtimeve empirike në sferën tregtisë ndërkombëtare janë në drejtim të shfrytëzimit të përfitimeve neto të tregtisë së lirë. Kujtojmë se teoritë “e reja” të rritjes (tashmë jo dhe aq të reja nga perspektiva e sotme), përmes veprave të Grosman dhe Helpman (1991, 1996) si dhe Agion dhe Hovit (1992) ofrojnë përkrahje teorike lidhur me parashikimet se niveli hapjes tregtare (trade openness) ndihmon rritjen ekonomike në periudhë afatgjate përmes kanaleve të ndryshme. Liberalizimi tregtar, poshtu siguron rrjet më të fuqishëm dhe më të diversifikuar të furnizuesve me të mira intermediare (gjysmëprodukte, materiale dhe lëndë të para), përhapjen e njohurive dhe transfer të lehtë të teknologjive, shfrytëzim të ekonomive të shkallës (economies of scale). Përmes këtyre kanaleve përforcohet produktiviteti dhe aftësia konkurruese e kompanive vendase. Kjo, theksohet veçanërisht në modelet endogjene të rritjes ekonomike, sipas së cilave shkalla e lartë e integrimit të tregtisë ndërkombëtare ndikon në mënyrë të favorshme ndaj rritjes ekonomike. Hulumtimet makroekonomike më të reja tregojnë se ekonomitë e hapura tregtare shënojnë norma më të larta të rritjes ekonomike (p.sh. Ajhengrin, 2018), që është argument kundër protekcionizmit. “Globalizuesit” ose ekonomitë me shkallë më të lartë të integrimit të tregtisë ndërkombëtare, arritën që ta zvogëlojnë shkallën e varfërisë më shpejt, natyrisht, me vendosjen e rrjetit të sigurisë sociale të vendosur siç duhet dhe në kohë për kompensimin e humbësve të globalizimit. Konkluzioni është se relacioni ndërmjet nivelit të hapjes tregtare dhe rritjes ekonomike në periudhë afatgjate është përcaktuar nga faktorë të shumtë, por para së gjithash, nga aftësia e kompanive lokale dhe industrive që të përshtaten dhe të zhvillojnë kapacitete për imitimin ose apsorbimin e njohurive, të transmetuara përmes tregtisë ndërkombëtare.

Për hir të së vërtetës, as proponentët e protekcionizmit tregtar nuk janë të pakët. Një pjesë e hulumtimeve empirike theksojnë se nevojitet mbrojtja e industrive të reja dhe se jo të gjitha industritë janë të gatshme t’i gëzojnë përfitimet e transferimit ndërkombëtar të teknologjisë dhe “know how” (p.sh. Rodrik (1999), Janikaja (2003) dhe Rodriguez (2006)). Niveli i hapjes tregtare gjithashtu mund të ndikojë negativisht edhe në rritjen ekonomike nëse vendet specializohen në produkte me cilësi të ulët. Për këtë arsye, këto autorë rekomandojnë orientim të politikave tregtare në mënyrë strategjike (“strategic trade policy orientation”).

Në vijim do të arsyetohen argumentet lidhur me liberalizimin e mëtejshëm, i hartuar në mënyrë të kujdesshëm, duke harmonizuar normat doganore me ato të Bashkimit Evropian. Poashtu, efekti fiskal i zvogëlimit të normave doganore nuk u vlerësua vetëm në periudhë afatshkurtër, por në një kornizë dinamike, me një horizont më të gjatë kohor, gjë që reflekton rritjen e produktivitetit dhe aftësisë konkurruese të kapaciteteve prodhuese vendase. Gjithashtu, u mor parasysh edhe struktura e ndryshuar në mënyrë të dukshme e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut gjatë dekadës së fundit edhe një gamë e gjerë e produkteve eksportuese, e krijuar jo vetëm nga kompanitë e huaja, por edhe nga kompanitë vendase të ristrukturuara në mënyrë të sukseshme. U analizua tregtia interindustriale (tregtia tejkufitare ndërmjet sektorëve të ndryshëm, që zakonisht zhvillohet në një drejtim) dhe tregtia intraindustriale (komponenti vertikal dhe horizontal, në kuadër të industrisë konkrete), me vëmendje të veçantë në varësinë importuese të industrive vendase.

Ekonomia e vogël dhe e hapur dhe BE partneri më i madh tregtar

Vendi ynë gjatë kohëve të fundit ka bërë progres të konsiderueshëm në përmirësimin e performancës sa i përket shkëmbimit tregtar. Vitin e kaluar edhe pse me efekte të mëdha për shkak të çrregullimit të madh të shkaktuar nga pandemia, kemi arritur eksport të përgjithshëm në vlerë prej 5.8 miliardë eurove, që paraqet rritje prej 41% në krahasim me nivelin e vitit 2015, ndërsa nëse krahasohet eksporti i vitin para pandemisë (2019), rritja është në nivel prej 57% në krahasim me vitin 2015. Gjegjësisht, tregu më i madh për eksportuesit tanë është tregu i BE-së, ku u realizua rreth 80% e eksportit të përgjithshëm gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2021.

Përveç rritjes së nivelit të eksportit dhe bilancit të përmirësuar tregtar, mund të vërehet një tendencë e qartë e ndryshimit cilësor sa i përket strukturës së këtij eksporti. Për shembull, eksporti i makinerive dhe pajisjeve të transportit në vitin 2020 merr pjesë me 33% në vlerën e eksportit të përgjithshëm krahasuar me nivelin prej 25% në vitin 2015, përkatësisht 6% në vitin 2010. Gjithashtu, sa i përket rritjes konsekutive të importit mund të konstatohet se amorizohet me vlerën e shtuar që krijohet dhe kjo mund të vërehet në mënyrë direkte nga trendi i vazhdueshëm i rritjes së mbulimit të importit me eksport. Për krahasim, mbulimi i importit me eksport në vitin 2015 ishte në nivel prej 70%, ndërsa në vitin 2020, edhe pse ishte viti i pandemisë, arriti nivelin prej 76.1%.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre produkteve të destinuara për eksport shfrytëzohen si repromateriale dhe produkte intermediare, që përpunohen në vendin tonë. Kështu, politikat lidhur me importin, marrëveshjet tregtare, detyrimet doganore janë thelbësore dhe kanë rëndësi të veçantë për vendin tonë. Rëndësia mund të vërehet edhe në vet faktin sa i përket pjesëmarrjes së tregtisë në PBB-në e vendit tonë, që arriti nivelin prej rreth 130% në vitin 2020 sipas të dhënave të Bankës Botërore. Ky nivel është më i lartë se të gjitha vendet e tjera të rajonit. Gjegjësisht, në Serbi ky tregues është në nivel prej 105%, në Bullgari është në nivel prej 110%, në Kroaci është në nivel prej 91%, në Bosnjë dhe Hercegovinë është në nivel prej 83% dhe në Shqipëri është në nivel prej 61%. Kjo e dëshmon nivelin e hapjes së ekonomisë sonë dhe nevojën për angazhim më të përforcuar sa i përket krijimit të mundësive të reja për kompanitë eksportuese.

Përkrahja e eksportit – komponent i rëndësishëm i politikave ekonomike

Një nga mënyrat për të kontribuar drejt këtyre qëllimeve janë marrëveshjet tregtare multilaterale dhe bilaterale. Republika e Maqedonisë së Veriut ka lidhur marrëveshje për liberalizimin e tregtisë të tilla si Marrëveshja për stabilizim dhe asociim me BE, EFTA, CEFTA, marrëveshje bilaterale me Turqinë dhe Ukrainën, si dhe është anëtare në Organizatën Botërore të Tregtisë që nga viti 2003. Këto marrëveshje ofrojnë qasje në një treg me më shumë se 650 milionë konsumatorë. Rëndësia e këtyre marrëveshjeve sa i përket përmirësimit të shkëmbimit tregtar tregohet nga fakti se mbi 90% të shkëmbimit tregtar të vendit është pikërisht me këto vende. Mund të konstatohet se vetëm hapja e mundësive për bashkëpunim dhe liberalizim të tregtisë me rajone dhe vende të caktuara do të kontribuojë për të përforcuar bashkëpunimi ekonomik me këto vende. Prandaj, vlerësoj se është shumë e rëndësishme që në periudhën e ardhshme të bëjmë përpjekje për zgjerimin e tregjeve, veçanërisht me qëllim që oferta jonë të jetë sa më e pasur për investitorët e huaj direkt, që kryesisht orientohen drejt eksportit. Kjo, së bashku me strategjitë tashmë të vendosura dhe planet për rritjen e pëshpejtuar dhe mobilizimin e kapitalit vendas dhe të huaj për përmirësimin e infrastrukturës fizike, tranzicionin e gjelbër, dixhitalizimin dhe kapitalin njerëzor do të kontribuojë në arritjen e qëllimeve të përcaktuara.

Kanal tjetër shumë i rëndësishëm, për të cilin në ditët që kaluan ndërmorrëm hapa konkrete është lehtësimi i detyrimeve doganore dhe procedurave të importit lidhur me gjysmëproduktet, repromaterialet dhe lëndët e para dhe eksportit të produkteve me vlerë më të madhe të shtuar. Gjegjësisht, gjatë javës së kaluar Qeveria miratoi Propozim ligjin për tarifën doganore me të cilin lehtësohen detyrimet doganore për 258 produkte. Me anë të një procesi gjithëpërfshirës, përmes së cilit u konsultuan të gjitha palët e involvuara dhe veçanërisht odat ekonomike si partner më i interesuar, Ministria e Financave në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Zëvendëskryetarin e Qeverisë përgjegjës për çështje ekonomike dhe Drejtorinë Doganore, përpiloi listë me produkte për të cilat lehtësohen, përkatësisht zvogëlohen detyrimet doganore. Ky ligj është një hap shtesë sa i përket harmonizimit të detyrimeve doganore me ato të Bashkimit Evropian, ku synojmë që të bëhemi anëtare.

Pjesa më e madhe e normave të zvogëluara doganore i referohen mallrave industriale që shfrytëzohen si lëndë të para dhe repromateriale në prodhimtarinë e avancuar teknologjike, në sektorët e industrisë së automjeteve, përpunimit të metaleve, metalurgjisë, tekstilit dhe të lëkurës, që në vitin 2020 dhe në fillim të vitit 2021 u ballafaquan me vështirësi të shumta. Gjithashtu, në kushte të krizës energjetike dhe presionit mbi çmimet e energjensave, ky propozim ligj parasheh shfuqizimin e normës doganore të gazit natyror. Me shfuqizimin e kësaj norme doganore u ofrohet përkrahje të rëndësishme kompanive vendase dhe industrisë përmes zvogëlimit të shpenzimeve lidhur me prodhimtarinë. Njëkohësisht, kontribuohet për stabilitet më të madh të çmimeve dhe stimulohet shfrytëzimi i energjensave që janë më pak ndotëse. Me anë të këtij Propozim ligji ekonomisë i ofrohet përkrahje me vlerë të përgjithshme prej 810 milionë denarëve ose 13 milionë euro në nivel vjetor.

Harmonizimi i normave doganore për një pjesë të numrave tariforë pritet të ketë ndikim shumë pozitiv mbi klimën e biznesit me të cilën funksionon ekonomia jonë. Kjo është posaçërisht e rëndësishme kur ekonomia botërore dhe ekonomia jonë ballafaqohen me pasojat e pandemisë. Harmonizimi i normave doganore së bashku me zbatimin e konvetës së rishikuar PEM që u bë e plotfuqishme më datë 02.11.2021, do të kontribuojnë në përshtatjen graduale të kushteve ekzistuese në tregun e BE-së. Përshtatja e këtillë graduale është në funksion të përgatitjes së kompanive të Maqedonisë drejt tregut evropian me konkurrencë të lartë.

Gjithashtu, në një ekonomi si kjo e jona, stimulimi dhe përkrahja e kompanive të orientuara drejt eksportit janë thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të qëndrueshëm. Rritja e aktivitetit eksportues dhe rritja e kompetitivitetit të këtyre kompanive në ekonominë ndërkombëtare, do të kontribuojë në zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese, rritjen e produktivitetit, rritjen e punësimit dhe rritjen e pagave si dhe në tërheqjen e kapaciteteve shtesë për përkrahjen e këtyre kompanive dhe industrive. E rëndësishme është që të theksohet se vlera e shtuar që këto kompani sjellin në veprimtarinë ekonomike në vend është e njohur gjerësisht përmes know-how që si nus efekt pozitiv reflektohet edhe në veprimtarinë e operatorëve të tjerë ekonomikë.

Zinxhirët globalë të vlerës dhe specializimi “smart”

Tregtia e jashtme në kushte të globalizimit dhe zhvillimit teknologjik, siç sqaron Krugman në teorinë e tij për të cilën fitoi Çmimin Nobel, bazohet në premisën se shumë mallra dhe shërbime mund të prodhohen më lirë në seri të gjata, ky koncept në përgjithësi njihet si ekonomitë e shkallës. Në ndërkohë, konsumatorët kërkojnë oferta të llojllojshme të mallrave. Si rezultat i kësaj, prodhimtaria e vogël për tregun lokal zëvendësohet me prodhimtarinë e madhe për tregun botëror, ku kompanitë me prodhime të ngjashme garojnë me njëra – tjetrën. Në këtë mënyrë krijohen të ashtuquajturit zinxhir globalë të vlerës që implikon specializim të vendeve të caktuara në faza të caktuara të procesit global prodhues varësisht nga sfera në të cilën kanë aftësi konkurruese më të madhe.

Kjo teori tashmë u bë baza e politikave zyrtare zhvillimore, gjegjësisht strategji për specializimin “smart” të vendeve të OECD-së, BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Ky është koncept, në të cilin po punohet në Strategjinë për specializimin “smart” për ekonominë tonë, me qëllim që të identifikohen sferat me resurse të disponueshme dhe potencial që përmes investimeve në hulumtime dhe inovacione të bëhen më konkurruese. Kjo do të mundësojë përfshirjen më të madhe të kompanive tona në zinxhirët globalë të vlerës, si dhe tërheqjen e investimeve lidhur me sferat ku do të jemi më konkurrues në tregun global.

Globalizimi, sfidat dhe perspektivat

Koncepti neoliberal lidhur me tregtinë e jashtme si dhe globalizimin tregon ndikim pozitiv sa i përket rritjes ekonomike, bashkëpunimit ekonomik, rritjes së aftësisë konkurruese, zvogëlimit të çmimeve, përmirësimit të cilësisë së të mirave si dhe kontribuon në rritjen e investimeve, punësimit, por edhe në investime të shumta për hulumtim dhe zhvillim, inovacione që sjellin zhvillim më të lartë teknologjik dhe perspektiva të reja të rritjes dhe zhvillimit.Në këto supozime neoklasike bazohen edhe politikat e institucioneve financiare ndërkombëtare, para së gjithash Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Por debati po bëhet edhe më aktual në lidhje me sfidat e mëdha që dalin si rezultat i këtij procesi, të tilla si dinamika e ndryshme e zhvillimit dhe shpërndarja e të ardhurave dhe me këtë edhe rritja e pabarazisë sociale dhe gjeografike. Këtu, para së gjithash i referohem “pakënaqësisë” së Stieglitz ndaj globalizimit që nuk mundëson rritje ashtu siç përshkruhet nga ekonomistët neoliberalë, veçanërisht për shkak të thellimit të hendekut midis vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim, por edhe midis shtresave të ndryshme sociale të shoqërisë.Ai thekson nevojën për kompensimin e “humbësve” nga procesi i globalizimit përmes masave sociale dhe përkrahjes për vendet në zhvillim, duke vënë në dukje nevojën e reformimit të organizatave ndërkombëtare në drejtim të adresimit më efikas të çështjeve globale që paraqesin sfidë të përbashkët, siç janë ndryshimet klimatike.

Prandaj, vlerësoj se mund të jemi optimistë për zhvillimet pozitive në nivel botëror, duke pasur parasysh faktin se gjatë kohëve të fundit ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i gjelbër zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në axhendat e organizatave dhe forumeve ndërkombëtare.Ne i inkorporuam me kohë këto tendenca dhe me strategjitë dhe masat e miratuara, tashmë jemi pjesë e këtyre iniciativave, duke përfshirë Axhendën e gjelbër dhe angazhimet për arritjen e qëllimeve për zhvillimin e qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, transformimin dixhital, përkrahjen e inovacionit dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.