Maqedoni

Dehari në “ABC”: Kryeministri shqiptar do të jetë i BDI-së

Kryetari i komunës së Kërçovës në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Dehari ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Ballkan” të Linda Karadakut në “ABC” për situatën politike në Shkup dhe ndikimin që ka në rajon. Pasi kaloi sprovën e numrave, Dehari u shpreh se tashmë qeveria e Maqedonisë është e fokusuar te hapja e negociatave me BE-në.

“Në Maqedoni kemi një stabilitet pasi janë siguruar numrat në parlament. Do të kemi edhe një qeveri të re politike që do të vazhdojë mandatin. Ajo qeveri ka prioritetet dhe sfidat e saj për të realizuar, qoftë ato që janë aspirata drejt BE-së apo që kanë premtuar përpara qytetarëve.

Vazhdojmë të jemi në një lloj tranzicioni akoma politik, por përsëri për t’u ndalur te fakti, që brenda rajonit kemi një lloj sigurie, stabiliteti politik. Shqipëria dhe Maqedonia janë në hap drejt realizimit të një ëndrre, hapjes së bisedimeve. Është një shpresë që mund të ndodhë shumë shpejt. Rrethanat flasin që ka një moment të ri në Bullgari, jashtë asaj që vazhdon presidenti Radev” tha ai.

Por si e komenton Fatmir Dehari i zgjedhur nga BDI-ja në Kërçovë diversionin e VMRO-DPMNE-së që propozoi Afrim Gashin e “Alternativës” kryeministër të Maqedonisë së Veriut, që sipas marrëveshjes do të jetë në krye të qeverisë tre muaj para zgjedhjeve parlamentare? Dehari tha se themelet e kësaj arritje historike i vendosi BDI dhe në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të fundit i takon kësaj force të drejtuar nga Ali Ahmeti për të propozuar emrin.

“Nuk e kam dëgjuar. E kam lexuar si lajm. Partia opozitare përpiqet që të krijojë situata të reja. Kryeministri shqiptar është i BDI-së, tre muajt e fundit të qeverisjes. Në garën për zgjedhjet parlamentare të 2018-ës dhe kemi një marrëveshje konkrete që në tre mujorin e fundit kryeministri të jetë një i propozuar nga BDI-ja. Kjo thyen edhe disa tabu të tjera në Maqedoni.

Disa vite më parë ishte ëndërr. Tani gjërat kanë ndryshuar. Propozimet mirë që janë dhe diskutohen. Pavarësisht si e ka thënë ajo diskutohet, kryeministri shqiptar si mundësi. Sigurisht do të kemi zgjedhje parlamentare ku VMRO-DPMNE-së do i jepet një mundësi të propozojnë një kandidat shqiptar. Mirë që kanë ndryshuar gjërat, por rrënjët janë të BDI-së me udhëheqjen brilante me vizion” tha ai.

Me largimin e Zoran Zaevit sa jetëgjatë do të jetë qeveria e drejtuar nga kryeministri i ri i Maqedonisë Dimitar Kovaçevski? “Shqiptarët janë faktor stabiliteti. BDI dëshmoi pjekuri politike, që prej një kohe të gjatë, prej 20 vitesh është në institucionet e shtetit” tha ai.

Sherrin brenda partisë Demokratike në Shqipëri, Dehari e cilësoi kthim mbrapa. “PD vjen në një moment të kthimit mbrapa. Nuk mund ta quaj një demokraci të brendshme situatën e krijuar në PD me vetë faktin meqë shpesh flasim për reformë dhe paraqitje të personaliteteve të reja dhe përsëri theksi kryesor bie mbi ish-kryeministrin shqiptar, zotin Berisha.

Edhe nga natyra më pëlqen debati, përplasja e ideve dhe mendimeve, por jo ajo që nuk çon një hap përpara. Ne kemi nevojë për përplasje të mendimeve dhe ideve ndryshe për progres për sjellje të një mendësie të re, shkolle të re politike. Brenda rajonit kemi shumë të rinj të shkolluar në Amerikë dhe Europë që kthen e për të kontribuar në parti politike apo struktura qeveritare” deklaroi ai./ Abcnews.al