Tetovë, kryetarja Arifi nuk e realizoi premtimin 8 vjeçar për Tetovë pa gropa: rrugët në gjendje katastrofale (VIDEO)
Një ndër aktivitetet kryesore të fushatës të vitit 2013 të kryetares aktuale të komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ishte shënimi i gropave në qytetin e Tetovës, kështu duke ironizuar me ish kryetarin e kësaj komune. Sot, edhe pse jemi në vitin e tetë të mandatit të kësaj të fundit, kamera e Portalbit regjistroi gropa dhe rrugë të çara në shtatë lagjet kryesore përreth qendrës së qytetit, shkruan Portalb.mk.
Rrugë të parregulluara dhe të dëmtuara, përplot me gropa dhe disa prej tyre thuajse të pakalueshme, kjo është gjendja në rrugët dytësore dhe në disa pjesë, edhe në rrugët kryesore të qytetit të Tetovës.
Gazetari i Portalb.mk vizitoi shtatë lagjet kryesore me më shumë banorë në këtë qytet, në shumicën prej tyre banorët u shprehën se nuk ju kujtohet kur ka qenë hera e fundit që Komuna e Tetovës ka intervenuar për rregullimin e rrugës apo mbushjen e gropave.
- Rruga “Braqa Milladonovi” – gjendet në rrugën për në Banjën e Qytetit.
- Rruga “E Strugës (Strushka)” – pas Gjykatës Themelore
- Rruga “Gjoce Stojçevski” – te Spitali i Qytetit
- Rruga “Blagoja Toska” – te Shkolla e Mesme tekstile
- Rruga “Boris Kidriç” – te Stacioni i Autobusëve
- Rruga “JNA”
- Rruga “Kiro Ristoski Dërnç”
Rikujtojmë se një ndër prioritetet e qeverisjes së parë të kryetares së Komunës së Tetovës, ishte pikërisht mbushja e gropave dhe infrastruktura rrugore.
Përkundër kësaj, në gjashtëmujorin e fundit të qeverisjes së kryetares Arifi pritet të fillojnë punimet për mbushjen e gropave dhe asfaltimin e rrugëve të dëmtuara, për këtë qëllim, janë ndarë 7 milion denarë apo 113 mijë euro.
“Komuna e Tetovës për këtë vit ka ndarë 7 milion denarë për këtë, është angazhuar kompania “Euro Invest” me të cilën veçse kemi nënshkruar kontratë, për shkak të temperaturave të ulëta, punët nuk filluan me 15 mars si ishte paraparë dhe do të fillojnë me 15 prill” theksuan nga Komuna e Tetovës.
Ndryshe, qyteti i Tetovës ndër vite përballet me problemin e rrugëve me gropa kurse asgjë nuk është ndërmarrë nga autoritetet komunale për rregullimin e këtij problemi. Rikujtojmë se në mars të vitit të kaluar,Komuna e Tetovës përfitoi nga kredia 70 milionëshe e Qeverisë së RMV-së për rregullimin e dy lagjeve të cilat janë në gjendje të mjerueshme, këto lagje ende nuk janë rregulluar.
- LEXO: Krateri i Tetovës!