Maqedoni

Taravari: Nuk tërhiqem tërësisht nga partia por vetëm nga pozita si sekretar gjeneral

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari paralajmëroi tërheqje nga funksioni sekretar gjeneral i Aleancës për Shqiptarët.

Ai këtë paralajmërim e bëri në kontekst të rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale ku ASH ishin në koalicion së bashku me Alternativën.

Taravari tha se partisë i nevojitet kuadër i ri ndërsa edhe në pozitën e tij duhet një fytyrë e re.

Në një deklaratë për Fokus, ai sqaron se po tërhiqet vetëm nga funksioni por jo edhe nga partia. Ai do të vazhdojë të qëndrojë anëtar i ASH-së.

“Mandati im për sekretar gjeneral i Aleancës përfundon më 25 dhjetor, kur dhe do të caktojmë datë për kongresin e ardhshëm të partisë. Me mandat deri në kongres ngelet vetëm kryetari i partisë”, thotë Taravari.

Ai shprehet se nuk po mund t’i mbërrijë të gjitha obligimet edhe si kryetar komune edhe si sekretar i partisë.

“Kështu, propozoj një kuadër më të ri në vendin sekretar gjeneral, i cili ka më tepër kohë dhe i cili në mënyrë intenzive do të punojë në teren me strukturat tona në të gjitha degët” theksoi Taravari.