Maqedoni

Asnjëherë nuk u hap, salla e sportit në Zajaz, në dry

Kjo është salla e sportit në shkollën fillore “Rexh Rushit Zajazi” në Kërçovë. Është ndërtuar para më shumë se 10 viteve. Në gusht të vitit 2020 TV21 e pyeti ministrin e atëhershëm të arsimit Arbër Ademin për fatin e kësaj salle, se pse po qëndron e mbyllur dhe asnjë nuk ka shkelur brenda, por ai pat thënë se nuk është i njoftuar me këtë çështje dhe se do të interesohet e do të informojnë. Asnjë përgjigje nuk është dhënë deri më sot. Komuna e Kërçovës në seancë të këshillit tha se kanë ndarë mjete për përmirësimin e kushteve në sallat e sportit. E ishte këshilltari i Aleancës për Shqiptarët, Abdulla Sejdini, i cili e ngriti si shqetësim punën e sallës në Zajaz.

“Më intereson çështja e sallës së sportit në shkollën fillore “Rexh Rushit Zajazi. Gati 10 vite e dëgjojmë, do të lëshohet në përdorim është aktive nuk është aktive. Kërkoj nga ju të di në cilën fazë është dhe a do të përfshihet në rikonstruim?”, tha Abdulla Sejdini, këshiëltar i ASH-së në K.K. Kërçovë.

Por përgjigja që morri nga shefi i Financave në Komunën e Kërçovës, Burim Kadriu, ishte se salla është funksionale!

“Salla e sportit në “Rexh Rushit Zajazi” është në funksionim. Janë rregulluar problemet që i kishte ajo sallë, dhe mendoj se atje mund të kryhen aktivitete sportive”, pohoi Burim Kadriu, përfaqësues i Komunës së Kërçovës.

Për ta vërtetuar këtë, TV21 doli në teren dhe edhe kësaj here dyert e sallës i gjetëm të mbyllura.

Takuam edhe nxënës të cilët i pyetëm se ku e mbajnë orën e edukatës fizike dhe a kanë parë si duket salla?

“Nëpër klasat, bëjmë disa kërcime disa gjëra. Vetëm një herë te salla e sportit, nuk funksionon”.

TV21: Pse nuk funksionon salla?

“Tash janë duke e bërë, drejtori thotë nuk punon për shkak pandemisë, mësuesi thotë është e prishur”.

Edhe prindërit janë të shqetësuar me mosfunksionimin e sallës.

“Unë si prind i nxënësit i cili mëson në klasë të 9-të, gjatë mbledhjes prindërore kam parashtruar pyetje në lidhje me sallën e sportit se pse si objekt i ndërtuar më shumë se 10 vite ende nuk lëshohet në përdorim të shkollës kam marrë përgjigjen se salla nuk ka dokumentacionin e duhur për t’u vënë në përdorim. Se pse nuk di askush të më përgjigjet!”, thotë njëri nga prindërit.

TV21 jozyrtarisht mëson se çelësi i sallës nuk ndodhet në shkollë, por në komunë. Edhe pse nuk patëm qasje për xhirim në ambientet e brendshme, mësojmë se salla nga brenda tashmë ka nisur edhe të rrënohet nga uji që ka pikuar. Rinovimi ose rindërtimi i kësaj salle të sportit nuk është paraparë as për vitin 2022 ku ishte ndarë buxhet për rinovimin e disa sallave të sportit në Kërçovë, por jo edhe për këtë sallë e cila po qëndron e mbyllur.