Në buxhetin 2022 s’janë paraparë mjete shtesë për K-15!
Në buxhetin për vitin 2022 nuk janë planifikuar mjete shtesë për K-15 në sektorin publik, zbuloi Ministri i Financave, Fatmir Besimi, i pyetur nëse janë paraparë mjete në Propozim-buxhetin për regres të pushimit vjetor për të punësuarit në sektorin publik, se sa do të na kushtojë K-15, nëse buxheti ka para për këtë.
“Nuk e kam numrin e saktë, do ta konfirmojmë numrin dhe do të flas rreth përllogaritjeve në buxhet dhe për K-15 nuk janë parashikuar mjete plotësuese për pagesë për sektorin publik”, tha Fatmir Besimi, ministër i Financave.
Të dielën Lidhja e Sindikatave protestoi, e mes kërkesave të tyre ishte edhe pagesa e K-15. Kërkojnë regres minimal prej 30% nga paga mesatare dhe maksimum 100% në varësi të mundësive të institucioneve. Pas kësaj mes LSM-së dhe Qeverisë u dakordua formimi i grupit të punës në afat më të shkurtër kohor do të ofrojë zgjidhje operative për mundësinë e pagesës së regresit për pushim vjetor K-15, ndërsa analizat pritet të prezantohen në 20 janar të vitit 2022. Nëse nuk ka dakordësim për kërkesat, paralajmërohet grevë!
“Nëse nuk pranohen, e dini, shkojmë më tej, kemi borde të grevës, nuk heqim dorë nga kërkesat tona, si dhe e diela të jetë ditë jo pune dhe rritje e pagës minimale si dhe gjithë pagave tjera, për çka gjithashtu morëm garanci të fortë nga deputetët se që këtë javë do të votohet dhe do të vlejë nga 1 janari”, Darko Dimovski, kryetar i LSM-së.
Qeveria dhe sindikatat pajtohen se nuk është shumë i madh numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin publik që nuk kanë të drejtë për K-15, për shkak se me marrëveshjet kolektive në nivel të punëdhënësve dhe në nivel të degës, pjesa më e madhe e tyre tashmë e kanë fituar këtë të drejtë.
Të dielën, Lidhja e Sindikatave protestoi duke shprehur pakënaqësi nga mosvotimi i ligjit për shpallje të së dielës ditë jo pune dhe duke kërkuar rritje të pagës minimale në 18.000 denarë dhe rritje të pagave tjera. Një pjesë e kërkesave të sindikatës ishin edhe kthimi i së drejtës për regres të pushimit vjetor për të gjithë punëtorët në Marrëveshjen e përgjithshme kolektive për sektorin publik dhe pensionim sipas disa bazave.