Maqedonia e Veriut e shtata në botë sipas Indeksit global për politikën e barnave
Maqedonia e Veriut renditet e shtata në botë sipas Indeksit global të politikës së barnave, në një klasifikim që janë përfshirë 30 vende. Vendi ndan vendin e shtatë me Gjeorgjinë me të njëjtin numër pikësh indeksi, pasuar nga Kanadaja (6), Australia (5), Britania e Madhe (4), Portugalia (3), Zelanda e Re (2) dhe Norvegjia (1). Vendet evropiane që janë vlerësuar më keq se Maqedonia e Veriut janë Hungaria në vendin e 12-të dhe Rusia në vendin e 20-të, rapoerton 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.
Mirëpo, HOPS – Opsionet për jetë të shëndetëshme Shkup theksojnë se ky vend i shtatë nuk duhet parë si sukses për Maqedoninë e Veriut, e cila është vlerësuar me 55 nga 100 pikë të mundshme, pasi, siç thonë ata, në çdo tekst shkollor indeksi 55 është nuk vlerësohet si një arritje e mirë.
“Veçanërisht po të kemi parasysh kompaninë apo grupin e vendeve që ishin vlerësuar, shumica e të cilave njihen për politikat e tyre të këqija të barnave. Ky indeks duhet të lexohet në atë drejtim që Qeveria dhe institucionet e Maqedonisë kanë ende shumë punë për të bërë për të krijuar politikë adekuate të barnave që do të bazohet në shëndetin dhe të drejtat e njeriut”, thonë nga HOPS.
Duke theksuar faktet kyçe për Maqedoninë e Veriut në edicionin e parë të Indeksit të politikave globale, HOPS thotë se në pesë nga 30 vendet e përfshira nga klasifikimi (Brazili, Kolumbia, Kirgistani, Meksika dhe Maqedonia e Veriut), angazhimi i ushtrisë ose i forcave mbrojtëse në operacionet për kontrollimin e drogës konsiderohet “endemike për qasjen e vendit për zbatimin e ligjeve të lidhura me barnat”.
“Shqetësuese është ajo që të dhënat në Indeks nxjerrin në pah shkeljet e përhapura të të drejtave të njeriut të kryera në emër të kontrollit të drogës në kuadër të sistemit të aparatit ndëshkues-drejtësisë, duke përfshirë edhe dhunën dhe torturën nga policia dhe arrestimet dhe ndalimet arbitrare, gjatë së cilave vetëm një numër i vogël vendesh njoftuan se këto janë raste të rralla. Në Afganistan, Kenia dhe Kirgistan, për shembull, dhuna policore konsiderohet e përhapur në përpjekjet për kontrollin e drogës, ndërsa konsiderohet dukuri e rrallë ose shumë e rrallë në vetëm gjashtë vende (Kosta Rika, Hungaria, Zelanda e Re, Maqedonia e Veriut, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar). Ngjashëm me këtë, rastet e ndalimit arbitrar konsiderohen të rralla vetëm në tre nga 30 vendet – Zelanda e Re, Portugalia dhe Mbretëria e Bashkuar”, thonë nga HOPS.
Sa i përket të drejtës për gjykim të drejtë për personat e dyshuar për vepra penale të lidhura me drogën, sipas Indeksit global, mundësia për t’u garantuar gjykim i drejtë konsiderohet e pabesueshme në Afganistan, kurse Maqedonia e Veriut është në grupin e 12 vendeve me kufizime të konsiderueshme në akses në gjykim të drejtë, së bashku me Gjeorgjinë, Ganën, Kenian, Kirgistanin, Meksikën, Marokun, Mozambikun, Nepalin, Rusinë, Tajlandë dhe Ugandën.
Qasja në gjykim të drejtë konsiderohet i garantuar vetëm në shtatë vende: Australi, Kanada, Kosta Rika, Zelanda e Re, Norvegjia, Portugalia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Indeksi vlerëson arritjet e qeverive në lidhje me disponueshmërinë dhe përdorimin e alternativave për të arrestuar, ndjekur penalisht, dënuar dhe/ose ndëshkuar për vepra të lidhura me drogën. Australia, Xhamajka, Zelanda e Re, Maqedonia e Veriut dhe Portugalia morën pikët më të larta (85/100) në ofrimin e alternativave ndaj arrestimit, ndjekjes penale, gjykim dhe/ose dënim, pasuar nga Kolumbia, Gjeorgjia, Kenia, Maroku, Mozambiku dhe Uganda.
“Vetëm nëntë vende, përfshirë Maqedoninë e Veriut, së bashku me Australinë, Kosta Rikën, Xhamajkën, Kirgistanin, Meksikën, Zelandën e Re, Maqedoninë e Veriut, Portugalinë dhe Rusinë, kanë ofruar alternativa në të tre fazat (arrest, aktakuzë, gjykim dhe/ose dënim). Edhe më shqetësuese, vetëm 11 vende ofrojnë një sërë opsionesh trajtimi bazuar në nevojat dhe preferencat e njerëzve (Afganistani, Australia, Kanadaja, Gana, Hungaria, Xhamajka, Zelanda e Re, Maqedonia e Veriut, Portugalia, Senegali dhe Mbretëria e Bashkuar)”, shtuan nga HOPS.
Vetëm një vend (Kanada) ka dispozita për zbatimin e programeve për shkëmbim të gjilpërave dhe shiringave sterile në burgje, megjithëse mbulimi është shumë i kufizuar. 15 nga 30 vendet e anketuara ofrojnë OAT (Trajtim për mbajtjen me agonists opioid) në burgje, por në praktikë vetëm tre vende (Maqedonia e Veriut, Portugalia dhe Mbretëria e Bashkuar) kanë akses në Trajtimin për mirëmbajtje me agonistë opioidë për më shumë se 40 përqind nga njerëzit që janë përdorues droge në burgje.
Botimi i parë i Indeksit global të politikës së drogës, që u publikua në nëntor 2021 nga Konsorciumi për reduktimin e dëmtimeve (Harm Reduction Consortium), koalicion shoqatash qytetare dhe shoqatave të bashkësive, në partneritet me akademikët, zbulon se shumica e vendeve në botë nuk kanë arritur të sjellin politikat kombëtare të drogës në përputhje me rekomandimet e Kombeve të Bashkuara. Ata u bëjnë thirrje qeverive, që refomat në këtë fushë të bëhen prioritet i tyre.
Indeksi Global i politikës së barnave (The Global Drug Policy Index) është analiza e parë globale e bazuar në fakte të politikave globale të drogës dhe zbatimit të tyre. Ai përbëhet nga 75 tregues që mbulojnë pesë aspekte të gjera të politikës së drogës: sistemin e drejtësisë penale, reagimet ekstreme, shëndeti dhe reduktimin e dëmit, qasjen në ilaçe të kontrolluara ndërkombëtarisht dhe zhvillimin. Nëpërmjet këtij prizmi, ky mjet unik dhe i pari i tillë deri më sot dokumenton, mat dhe krahason politikat kombëtare të drogës, duke renditur çdo vend sipas pikëve. Ky sistem tregon se sa politikat e një vendi për barnat janë në përputhje me parimet e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, shëndetin dhe zhvillimin. Si i tillë, ky Indeks është një mekanizëm kryesor vlerësimi në fushën e politikës së barnave.
Indeksi i parë vlerëson arritjet e 30 vendeve në botë, duke përfshirë të gjitha rajonet në botë, përfshirë Maqedoninë e Veriut, dhe përfshin edhe histori reale të jetës.
Indeksi Global i politikës së barnave është projekt i Konsorciumit për reduktimin e dëmtimeve, i cili përfshin partnerët si vijon: Rrjetin evropian të përdoruesve të drogës (EuroNPUD), Rrjeti euroaziatik për reduktimin e dëmtimit (EHRA), Rrjeti euroaziatik i drogës (ENPUD), Konsorciumin global për politika të drogës (GDPD), Universiteti Swansea, Shoqata ndërkombëtare për reduktimin e dëmtimit (HRI), Konsorciumi ndërkombëtar i politikave të barnave (IDPC), Rrjeti për reduktimin e dëmeve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore (MED), Rrjeti i politikave të barnave në Afrikën Perëndimore (WADPN), Rrjeti Ndërkombëtar i grave dhe reduktimit të dëmtimeve (VHRIN), dhe Yut Rice.