Zvarritet lënda e rastit “Alfa”! Dauti: Arsyet për zvarritje janë trillime
Zvarritja e lëndës së rastit “Alfa” në Gjykatën e Apelit, nuk po mundëson rigjykimin për të burgosurin Agim Islami. Nga Apeli nuk na kthyen përgjigje se deri ku janë me procedurën dhe nëse e kanë kthyer lëndën në Gjykatën Penale. Familjari njëkohësisht edhe ish i akuzuar, Ramiz Duati, deklaroi se sot ka pasur seancë publike në Gjykatën e Apelit, por e njëjta është anuluar.
“Janë bërë disa muaj që nuk është marrë ky vendim dhe mendoj se nuk ka arsye tjetër për me prit një gjykim tjetër që lidhet me neve për tu marrë vendimin për rastin tonë, konkretisht për rastin `Alfa`”, tha për TV21 Ramiz Dauti, familjar.
Për tu marrë vendim për rigjykimin eventual të rastit Alfa, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq në ClickPlus, tha se përveç se lënda duhet të kthehet nga Apeli në Gjykatën Themelore, duhet edhe të verifikohet ekspertiza e re që kanë dorëzuar familjarët.
“Mendoj se lënda aktualisht është në Gjykatën e Apelit dhe mbrojtja e njërit prej personave në atë rast ofron disa prova apo ekspertiza të reja. Mbetet që ajo ekspertizë të verifikohet nga organet tona dhe Gjykata të vendos nëse ka baza për përsëritje të procedurës”, tha Bojan Mariçiq, ministër i Drejtësisë.
Për Dautin është e paqartë se përse duhet të verifikohet një ekspertizë në Byronë e cila nuk ka kapacitet për të bërë një ekspertizë të tillë. Megjithatë shton se gjithsesi se e njëjta do të dorëzohet për verifikim ashtu siç kanë kërkuar organet, me qëllimin e vetëm, rigjykimin e lëndës.
“Kemi bërë ekspertizë jashtë shtetit për shkak se Byroja jonë për ekspertizë nuk i plotëson kushtet. Tash thotë që atë ekspertizë duhet që Byroja jonë ta verifikon. Për çfarë arsye, nëse nuk kemi mjete për zbardhje të asaj video dhe na keni dërguar në shtet tjetër, cila është arsyeja që Byroja për ekspertizë ta verifikon”, deklaroi për TV21 Ramiz Dauti, familjar.
Në qershor të këtij viti, mbrojta deri te Gjykata Penale dorëzoi edhe ekspertizën e kryer jashtë shtetit, në të cilën thuhet se Agim Islami nga Shkupi është i pafajshëm dhe është dënuar mbi dëshmi joligjore dhe të kurdisura. Rasti Alfa ka ndodhur më 26 nëntor 2008, në parkingun e Fakultetit matematiko-natyror në Shkup, nga ku jetën kishte humbur polici shqiptar nga njësiti Alfa, ndërsa ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët ai kishte qenë në patrullë. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi dhe Agim Islami.