Maqedoni

Sekuestrohen mijëra euro në kufirin Morinë, kapet edhe pajisja që përdoret për prodhimin e kriptovalutave

Policia kufitare e Kukësit ka goditur një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi, si dhe ka sekuestruar 39 mijë euro.

Siç bën të ditur gazetashqip nga policia, është proceduar një 33-vjeçar, banues në Maqedoninë e Veriut, të cilit i është sekuestruar dhe një pajisje që dyshohet se përdoret për prodhimin e kriptomonedhave.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, si rezultat i kontrolleve të shtuara, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Kukës dhe autoritetet doganore, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin me drejtues shtetasin B. B., 33 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 39.000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar, si dhe një pajisje që dyshohet se përdoret për prodhimin e kriptomonedhave.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës, u procedua penalisht drejtuesi i mjetit, shtetasi B. B., për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi””, njofton policia.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.