Nga Dibra në Amerikë, historia e vëllezërve Arti dhe Kujtim Seferi vazhdon të shkruhet me punë, investime dhe përkushtim ndaj komunitetit. Dy vëllezërit me origjinë nga Dibra, të njohur për aktivitetin e tyre në biznes dhe kontributin humanitar, po bëhen pjesë e një projekti të rëndësishëm zhvillimor në SHBA, i cili tashmë ka siguruar edhe një mbështetje të re financiare nga shteti. Këto ditë, senatori shtetëror Paul Honig mirëpriti miratimin e një granti prej 900 mijë dollarësh nga Community Investment Fund 2030 Board, mjete të pakthyeshme të dedikuara për projektin Seferi Commercial Development Project.
Biznesmeni dibran Arti Seferi, në një prononcim për gazetën KOHA, shpjegon se projekti ka në fokus transformimin e një ish-mulliri industrial në një kompleks modern me disa destinacione biznesi. “Bëhet fjalë për shndërrimin e një ish-mulliri industrial në një objekt modern me disa destinacione biznesi. Projekti i përgjithshëm ka një vlerë prej pak më pak se 6 milionë dollarësh. Kjo nuk është mbështetja e parë shtetërore për projektin. Para katër vitesh, shteti kishte akorduar 1 milion dollarë për pastrimin dhe rehabilitimin e zonës së ish-mullirit. Tani, granti i ri prej 900 mijë dollarësh do të ndihmojë në fazën e ndërtimit dhe transformimit të objektit në hapësira të reja biznesi”, thotë Seferi. Ai shpreh mirënjohjen për mbështetjen e institucioneve, duke theksuar se bëhet fjalë për grante të pakthyeshme që kanë ndihmuar në zhvillimin e projektit.
Me grantin e ri, mbështetja shtetërore për dy fazat e projektit gjatë katër viteve arrin në 1.9 milionë dollarë.
Plani i investimit është ambicioz. Në objektin e rikonstruktuar parashikohet të ndërtohet një market ushqimor me sipërfaqe prej rreth 6 mijë metrash katrorë, një qendër e brendshme rekreative dhe argëtuese për fëmijë prej rreth 16 mijë metrash katrorë, si dhe një sallë banketesh prej 6,500 metrash katrorë, e shoqëruar nga dy apartamente. Veçanërisht qendra e rekreacionit dhe lojërave për fëmijë pritet të jetë një hapësirë e re për komunitetin, duke pasur parasysh mungesën e një strukture të tillë në këtë përmasë në atë pjesë të vendit. “Qëllimi ynë është që ky investim të jetë në funksion të komunitetit dhe të krijojë mundësi të reja ekonomike”, shprehet Arti Seferi.
Një nga komponentët më të rëndësishëm të projektit është punësimi. Sipas vëllezërve Seferi, një nga objektivat kryesore të këtij investimi është krijimi i vendeve të reja të punës dhe ndikimi pozitiv në ekonominë lokale. Projekti parashikon të paktën 25 vende të reja pune, ndërsa funksionalizimi i hapësirave të reja tregtare, rekreative dhe të shërbimeve pritet të krijojë edhe mundësi të tjera ekonomike në të ardhmen. Për Kujtimin dhe Artin, ky projekt përfaqëson një tjetër hap në zhvillimin e aktivitetit të tyre afarist. Për komunitetin ku po realizohet investimi, ai nënkupton rikthimin në përdorim të një prone të braktisur industriale, krijimin e bizneseve të reja, shërbime të reja për familjet dhe vende të reja pune.
Kështu, investimi prej gati 6 milionë dollarësh, i mbështetur me 1.9 milionë dollarë grante shtetërore në dy faza, po merr një dimension përtej sipërmarrjes private, duke u shndërruar edhe në një projekt me ndikim ekonomik dhe komunitar.
Arti dhe Kujtim Seferi njihen në Dibër edhe për kontributin e tyre humanitar. Për vite me radhë, ata kanë ndihmuar familje në nevojë, kanë kontribuar në raste të ndryshme humanitare dhe kanë mbështetur individë e familje me nevoja të veçanta. Mes kontributeve të tyre përmendet edhe ndërtimi i shtëpive për familje në nevojë, ndihma e rregullt me ushqime për disa familje, si dhe mbështetja në raste të ndryshme. Për ta, suksesi në biznes nuk shihet vetëm si një arritje personale, por edhe si mundësi për të ndihmuar komunitetin dhe vendlindjen. Zgjerimi i aktivitetit të tyre, sipas tyre, krijon mundësi që ky kontribut të vazhdojë edhe më tej, veçanërisht për Dibrën dhe dibranët, me të cilët vëllezërit Seferi ruajnë një lidhje të fortë.
Historia e Artit dhe Kujtimit Seferi është edhe një tjetër shembull i suksesit të dibranëve jashtë vendlindjes. Të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, shumë prej tyre kanë ndërtuar biznese dhe karriera të suksesshme, ndërsa një pjesë e tyre vazhdojnë të kontribuojnë për vendlindjen në forma të ndryshme, në shëndetësi, arsim, ndihmë sociale dhe mbështetje për familjet në nevojë. Në këtë kuadër, investimi i vëllezërve Seferi në Amerikë nuk është vetëm një histori suksesi biznesor. Ai është edhe një histori e lidhjes së diasporës me vendlindjen dhe e një brezi dibranësh që, krahas suksesit larg shtëpisë, përpiqet ta kthejë atë sukses në vlerë edhe për komunitetin prej nga vjen. (koha.mk)

