Kur do të përfundojë pandemia?
Pyetja tani është se sa shpejt do të bëhet endemike dhe si do të duket bota ndërkohë.
Nëse jemi me fat, dimri i vitit 2025 mund të jetë normal. Si gjithmonë, sistemet e kujdesit shëndetësor do të jenë nën presion, nga përhapja e sëmundjeve të frymëmarrjes, transmeton lajmi.net.
Viruset e frymëmarrjes do të sëmurin rëndë disa fëmijë. Dhe një sëmundje e re sezonale mund të jetë bërë e zakonshme: COVID-19. Ajo do të prekë rëndë të moshuarit, shumë më tepër se gripi. Por, jashtë spitaleve, jeta do të vazhdojë normalisht, shkruan The Economist.
Bota ka përjetuar pandemi edhe më parë. Gjatë shpërthimit të kolerës të viteve 1830, gati 3% e parisienëve vdiqën nga sëmundja, brenda vetëm një muaji. Në fund të shekullit XIX, rreth 1 milion njerëz mund të kenë vdekur nga gripi rus, për të cilin disa mendojnë se është shkaktuar nga një koronavirus. Gripi spanjoll që goditi në vitin 1918, vrau rreth 50 milionë veta në vetëm disa vjet.
COVID-19 është pjesë e kësaj liste. Kjo pandemi ndoshta ka vrarë 10 – 19 milionë njerëz, me një mesatare prej 16.3 milionë, sipas parashikimeve nga The Economist. COVID-19 nuk është aspak sëmundja më vdekjeprurëse me të cilën është përballur ndonjëherë njerëzimi. Shumë nga të infektuarit as nuk e dinë që e kanë. Por ajo është një sëmundje e re dhe është përhapur kudo. Kur u shfaq, e gjithë bota u alarmua.
Por në fund, të gjitha pandemitë veniten. Vjen një pikë kur një numër i mjaftueshëm njerëzish zhvillojnë imunitet, kështu që viruset nuk mund të gjejnë më trupa të rinj për t’u përhapur. E megjithatë, lija është e vetmja sëmundje njerëzore që është çrrënjosur plotësisht. Të tjerat, si gripi, fruthi dhe kolera, u bënë ngadalë endemike, por nuk u eliminuan dot tërësisht nga vaksinat dhe trajtimet mjekësore.
Në atë aspekt, COVID-19 është i njëjtë me to. Por ndryshe nga pandemitë e tjera, shkenca ka përparuar shumë dhe po e përshpejton procesin e sëmundjes drejt të qenët endemike. Pyetja tani është se sa shpejt do të bëhet endemike dhe si do të duket bota ndërkohë.
Ç’rrënjosja e COVID-19 është e pamundur
Shumica e qeverive e pranojnë se çrrënjosja e COVID-19 është e pamundur. Kina ndoqi një strategji “zero COVID”, por çrrënjosja u bë e pamundur, menjëherë pasi u shfaq sëmundja, argumenton MariaVanKerkhove, epidemiologe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Transmetueshmëria ekstreme e variantit Delta e ka bërë këtë qëllim edhe më të padobishëm. Masat bllokuese dhe karantinat e pafundme janë alternativa e vetme, por të gjitha shoqëritë i konsiderojnë ato krejt të patolerueshme. Në fund, kështu do të ndodhë edhe për banorët e Kinës. Zgjedhja e duhur është që çdo vend të mësojë si të jetojë me sëmundjen.
Endemicitet do të thotë që një virus qarkullon me një ritëm të qëndrueshëm. Infeksionet ndonjëherë rriten ose bien, por transmetimi është përgjithësisht konstant, i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm. Sëmundja nuk shkakton mbingarkesë dhe as nuk zhduket tërësisht. Infeksionet arrijnë një pikë konstante ku përqindja e popullsisë që cenohet rëndë, arrin në ekuilibër me shanset e transmetimit. Vaksinimi mund ta ulë këtë pikë ekuilibri edhe më poshtë.
Kështu ka ndodhur me poliomielitin dhe fruthin, dy sëmundje të rënda që ishin endemike në shekullin XX, por që tani janë eliminuar nga pjesa më e madhe e planetit. Fushatat e vaksinimit qenë të suksesshme, sepse të dyja viruset dëmtonin rëndë dhe vrisnin fëmijët, të cilët lindnin me një sistem të dobët imunitar. COVID-19 nuk ka gjasa të ndjekë të njëjtën rrugë, jo vetëm ngaqë shkakton relativisht më pak dëm tek të rinjtë, por edhe sepse njerëzit e vaksinuar mund të infektohen dhe ta transmetojnë infeksionin, edhe pse simptomat zakonisht janë të lehta.
Krahasoni këtë endemicitet me atë të ftohjes së zakonshme, e cila mund të shkaktohet nga 200 viruse të ndryshme. Shumica e fëmijëve që infektohen, nuk sëmuren rëndë. Shumica e të rriturve, madje edhe të moshuarit, kanë marrë njëfarë imuniteti nga ftohjet e ndryshme që kanë kaluar gjatë jetës, dhe kështu që janë në gjendje ta luftojnë atë.
Gripi është i ndryshëm. Ai është një nga sëmundjet më të rrezikshme endemike, dhe vret 290,000-650,000 njerëz çdo vit, shumica e tyre të moshuar. Vaksinat ekzistojnë dhe ofrohen masivisht çdo vit për të mbrojtur njerëzit e cenueshëm. Por nuk ka asnjë perspektivë për ta shfarosur atë, sepse virusi pëson mutacion më shpejt sesa janë në gjendje të zhvillohen vaksinat.
Dëmi nga COVID-19 endemik
Dëmi nga COVID-19 endemik përfundimisht mund të jetë diku midis atij të gripit dhe koronaviruseve të tjerë të zakonshëm. Trevor Bedford, virolog në Qendrën Kërkimore të Kancerit Fred Hutchinson, në Seattle, ka llogaritur se varianti Delta riprodhohet dy herë më shpejt se H3N2, një nga llojet më të zakonshme të gripit. Ai gjithashtu vëren se, deri tani, SARS-CoV-2 ka evoluar rreth pesë herë më shpejt se virusi i gripit (edhe pse kjo normë do të ngadalësohet pasi sëmundja të bëhet endemike dhe më pak e përhapur).
Doktor Bedford beson se barra e SARS-CoV-2 do të jetë e ngjashme me atë të gripit në vitet e ardhshme. Infeksionet individuale nuk do të jenë më kërcënim i madh, por transmetueshmëria më e lartë e COVID-19 do të shoqërohet me më tepër raste dhe më shumë vdekje. Sipas parashikimeve të tij, vetëm në Amerikë, mund të ketë 50,000-100,000 vdekje në vit nga COVID-19. Gripi vret rreth 12,000-52,000 njerëz në Amerikë çdo vit, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Të tjerë mendojnë se COVID-19 mund t’u ngjasojë koronaviruseve të tjerë të zakonshëm që qarkullojnë gjerësisht, por nuk do të mbingarkojë më sistemet e kujdesit shëndetësor ose shoqërinë. David Heymann, epidemiolog në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, vëren se përhapja e SARS-CoV-2 i ngjan më tepër koronaviruseve të zakonshëm sesa gripit të zakonshëm.
Ndryshe nga gripi, përhapjet e tij nuk nxiten nga fëmijët. Gjithashtu vaksinat e gripit parandalojnë, në rastin më të mirë, rreth 40-60% të infeksioneve të rënda dhe duhet të ndryshohen çdo sezon, ndërsa vaksinat ndaj COVID-19 janë shumë më të mira në parandalimin e simptomave serioze dhe vdekjeve dhe deri tani nuk kanë kërkuar përditësime. E gjithë kjo mund të nënkuptojë se SARS-CoV-2 endemik do të jetë më i ngjashëm me koronaviruset e tjerë endemikë sesa me gripin.
Pavarësisht se kur COVID-19 do të bëhet endemik, bota nuk ka arritur ende në atë pikë. Shtrimet në spital dhe vdekjet janë shtuar në Europën Lindore, ku fushatat e vaksinimit kanë qenë më të dobëta. Një numër i madh njerëzish nuk janë ende të bindur për vaksinën.
Çfarë do të ndodhë në afatin e mesëm
Në periudhën afatmesme, edhe vendet me nivele të larta vaksinimi, do të kenë vështirësi. Në Britani, e cila hoqi masat bllokuese më herët se shumica e vendeve të tjera europiane, në shtator, pacientët me COVID-19 zunë 25-35% të shtretërve të kujdesit intensiv. Zakonisht ata qëndrojnë aty për dy deri në tre javë, duke lënë më pak hapësirë për pacientët e tjerë. Por në Britani, si në pjesën tjetër të Europës, 80-90% e atyre që janë shtruar në spital me COVID-19, janë të pavaksinuar.
Hendeku midis të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve është edhe më i madh për sa u përket vdekjeve. COVID-19 tani është shkaku kryesor i vdekjeve tek britanikët e pavaksinuar. Në gjysmën e parë të vitit 2021, vetëm 1% e të gjitha vdekjeve të njerëzve të vaksinuar në Britani, ishin për shkak të COVID-19. Tek të pavaksinuarit, sëmundja shkaktoi 37% të vdekjeve.
Globalisht, këto valë infeksioni do të zbehen nga imuniteti kolektiv. Me kalimin e kohës, rritjet e infeksioneve do të bëhen gjithnjë e më të rralla. Dhe bota do të përparojë drejt endemicitetit. Fakti se si do të përparojë endemia dhe shpejtësia me të cilën vendet do ta arrijnë atë, varet nga tre gjëra: sa për qind e një popullsie është imune ndaj virusit dhe cilësia dhe qëndrueshmëria e atij imuniteti; si mund të trajtohet sëmundja; dhe si do të evoluojë virusi.
Imuniteti është i vështirë për t’u matur. Sistemi imunitar është i ndërlikuar. Si sasia, ashtu edhe cilësia e antitrupave që prodhon, janë të rëndësishme. “Deri në gjashtë muaj pas vaksinimit, sistemi imunitar është ende në procesin e optimizimit dhe përsosjes së përgjigjes së tij”, – thotë Ali Ellebedy, imunolog në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit në Misuri. “Antitrupat e zhvilluar në dy ose tre muajt e parë, zëvendësohen ngadalë nga antitrupa shumë më të mirë. Por kjo është e vështirë të vihet re. Nga ana sasiore, ka më pak antitrupa, por nga ana cilësore, gjërat po përmirësohen”.
Edhe pa pasur një pasqyrë të qartë të gjendjes imunologjike individuale ose kolektive të njerëzve, tabloja më e gjerë është e qartë. Ndërsa virusi përhapet në popullata, sistemet imune të atyre që mbijetojnë, janë stërvitur me formën e tij, duke përgatitur antitrupa për të luftuar infeksionin e ardhshëm. Mbrojtja që ofrojnë vaksinat kundër infeksionit zbehet disa muaj pas vaksinimit, por trajnimi që ato i kanë dhënë sistemit imunitar për të parandaluar sëmundje serioze dhe vdekje, mbetet.
Vaksinimi
Vaksinat i kanë ofruar rreth një së tretës së njerëzimit një rrugë të shkurtër drejt fazës endemike të sëmundjes, duke anashkaluar pjesë të rrugës që do të kishin qenë shumë më vdekjeprurëse. Rreth 3.8 miliardë njerëz kanë marrë të paktën një dozë vaksine, dhe 2.8 miliardë janë vaksinuar plotësisht. Po të shtojmë edhe personat që e kanë kaluar infeksionin, duket se mbi gjysma e popullsisë së botës duhet të ketë një shkallë imuniteti ndaj COVID-19.
Vaksinat ulin shumë rrezikun e simptomave të rënda dhe vdekjes. Ato kanë shpëtuar me qindra mijë jetë dhe kanë ndihmuar shumë sisteme të kujdesit shëndetësor që të funksionojnë.
Por shumica dërrmuese e atyre që kanë fituar imunitet, banojnë në vendet më të pasura. Në vendet e varfra, shumica duhet ta zhvillojnë imunitetin duke u infektuar natyralisht, që është shumë më e rrezikshme. Shkalla e vaksinimit, që u rrit gjatë gjysmës së parë të vitit në 43 milionë doza të administruara në ditë, në fund të shtatorit ra në 30 milionë doza në ditë. Është e jashtëzakonshme që njerëzit kanë qenë në gjendje të administrojnë vaksina më shpejt se aftësia përhapëse e virusit, por tani duket se kjo është një dukuri e kufizuar vetëm në vendet e pasura.
Aktualisht, niveli i imunitetit kolektiv ndaj COVID-19 në botë, nuk është aspak në nivelin e arritur për sëmundjet e tjera endemike të frymëmarrjes. Dr. Ellebedy thotë se do të duhen dekada që njerëzimi të arrijë një nivel të krahasueshëm imuniteti ndaj COVID-19.
Për çdo gjë ka një sezon
Përfundimisht, pasi imuniteti të jetë përhapur mjaftueshëm, rastet e COVID-19 do të bien në një model sezonal të ngjashëm me sëmundjet e tjera endemike të frymëmarrjes, që kanë qarkulluar për një kohë shumë më të gjatë.
Rachel Baker nga Universiteti Princeton, e cila studion si reagojnë viruset ndaj kushteve të mjedisit, thotë se parashikon që brenda pesë apo gjashtë vitesh, modelet e infeksioneve të COVID-19 të bëhen sezonale, si ato të koronaviruseve të tjerë endemikë.
Ka shumë gjasa që COVID do të bëhet një sëmundje me të cilën njerëzimi mund të jetojë dhe kjo nuk do të ndodhë vetëm falë vaksinave, por edhe trajtimeve mjekësore që po përparojnë me shpejtësi.
Remdesivir, një ilaç antiviral, mund të ulë shtrimet në spital me 87% në pacientët me rrezik të lartë, nëse jepet në fazën e parë të COVID-19. Por ai duhet të administrohet në një mjedis spitalor. Terapitë me antitrupa, janë shumë efektive, por zakonisht jepen në të njëjtën mënyrë.
Ilaçi i antitrupave AZD7442, i krijuar nga AstraZeneca, do të jetë i shtrenjtë, kështu që nuk do të përdoret gjerësisht. Por ai siguron mbrojtje shtesë për ata që janë në rrezik edhe pas vaksinimit, si personat me sistem imunitar të dobësuar.
Ilaçe të tjera dhe më të lira antivirale orale, janë duke u zhvilluar. Një ilaç mjaft premtues është Molnupiravir, i prodhuar nga kompanitë e ilaçeve Merck dhe Ridgeback. Nëse merret brenda pesë ditëve që nga fillimi i simptomave, ai ul rrezikun e shtrimit në spital ose të vdekjes me rreth 50%, në pacientët me simptoma të lehta ose të moderuara.
Ilaçet antivirale si Molnupiravir nuk e shërojnë COVID-19, por e bëjnë atë shumë më pak të rrezikshëm. Këto barna do ta bëjnë më të lehtë jetesën me COVID-19, por qeveritë dhe autoritetet e shëndetit publik duhet të sigurohen që përhapjet e infeksionit të mos mbingarkojnë sistemet e kujdesit shëndetësor. Çdo dimër, qarkullimi i gripit do ta bëjë më të vështirë situatën. Dozat përforcuese vjetore dhe vaksinat e gripit do të ndihmojnë për t’i mbajtur njerëzit e rrezikuar jashtë spitalit.
Duhet marrë parasysh edhe fakti se koronavirusi do të vazhdojë të evoluojë dhe duhet peshuar mirë se sa ndikim do të ketë ky evoluim. Nëse shfaqet një variant i ri pas Delta-s, ai do të përhapet kudo. Varianti Beta, i cili tani po shkon drejt zhdukjes, e pengonte imunitetin më mirë se Delta, por përhapej me më tepër vështirësi, prandaj po zhduket.
Një variant i ri që do të kombinonte tiparet e tyre, do të ishte një katastrofë. “Delta Plus”, një nënvariant që deri tani nuk është përhapur gjerësisht, ka mutacione të ngjashme me variantin Beta, por nuk ka prova që tregojnë se mund të shmangë vaksinat.
Por mundësia e lindjes së një varianti Delta me karakteristikat e variantit Beta, si dhe nevoja për të mbajtur njerëzit jashtë spitalit, do të jenë gjithmonë një arsye për të kufizuar përhapjen e sëmundjes. “Ne nuk kemi mjetet e duhura për të parashikuar afatin”, thotë DanielAltmann, imunolog në ImperialCollegeLondon, pasi evolucioni i koronavirusit ka një natyrë të paparashikueshme.
Mutacionet
Pavarësisht se çfarë mutacionesh do të pësojë SARS-COV-2 në të ardhmen, COVID-19 endemik nuk do të ekzistojë në një vakum.
Viruset garojnë me njëri-tjetrin. Një studim i kryer nga Autoriteti i Shëndetit Publik në Angli, mbi të dhënat e mbledhura midis janarit dhe prillit 2020, zbuloi se njerëzit tashmë të infektuar me grip, kishin 58% më pak të ngjarë që të testoheshin më vonë pozitivë për COVID-19 – ndoshta sepse të dy viruset luftojnë për mbizotërim brenda trupit të njeriut. Për disa njerëz me sistem imunitar të dobët, mund të infektohen me të dyja viruset në të njëjtën kohë. Për ta, rreziku i vdekjes është pothuajse sa dyfishi i personave të infektuar vetëm me SARS-COV-2.
Edhe kur të fillojë procesi i endemicitetit, bota do të ketë ende një rrugë të gjatë përpara. Ne nuk po përdorim të gjitha mjetet e disponueshme për të arritur në mënyrë sa më të shpejtë dhe të sigurt në fazën endemike. Këto mjete përfshijnë vaksinimin, maskat dhe ajrosjen. Do të vijë koha kur COVID-19 të bëhet endemik. Por ai do të krijojë shumë sfida në muajt dhe vitet në vazhdim. Rruga drejt normalitetit të ri mund të jetë shumë e trazuar.