Kosovë

Kurti edhe një bisedë telefonike me Escobarin, flasin për paqen në rajon dhe përkushtimin e Kosovës në dialog me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka biseduar sot zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, që tashmë është përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Kurti, përmes Twitter-it ka bërë të ditur se me diplomatin amerikan kanë biseduar rreth sigurisë e stabilitetit në rajon dhe përkushtimmit që ka Kosova në dialogun me Serbinë.

“Gjatë një bisede telefonike me zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, diskutuam rëndësinë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe përkushtimin tonë për dialogun parimor me Serbinë që çon në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme”, shkruan Kurti.

Kjo është biseda e dytë që Kurti e Escobar kanë bërë në dhjetë ditët e fundit. Herën e kaluar sipas njoftimit të nga zyra e Kryeministrit, Escobar ka shfaqur interesimin e tij për programin e qeverisë në shumë fusha me ç‘rast kryeministri e ka njoftuar diplomatin amerikan me progresin e shënuar në menaxhimin e mirë të pandemisë dhe vaksinimin e suksesshëm të popullsisë.

Po ashtu, thuhet se kryeministri e ka njoftuar diplomatin amerikan për rritjen ekonomike dhe reformat e filluara në drejtësi si dhe për stabilitetin institucional e legjitimitetin demokratik.

“Escobar theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e ShBA-ve që Kosova dhe rajoni të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Në lidhje me dialogun në Bruksel, ai shprehu mbështetjen e tij dhe përkushtimin që të ketë progres në këtë drejtim”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Në mbyllje të bisedës, Escobar ka theksuar se pret që së shpejti të vizitojë Kosovën.

Nëse në iniciativën ‘Balkani i Hapur’ (Open Ballkan) nuk përfshihen që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ajo nuk do të funksionojë, deklaroi i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të mërkurën më 24 nëntor.

Gjatë një adresimi online që kishte në konferencën për Ballkanin e Hapur që u mbajt në Kuvendin e Serbisë, Escobar tha se iniciativat rajonale duhet të jenë barabartë të hapura për të gjitha shtetet.