Kosovë

Nipi i Adem Jasharit emërohet komandant i ri i FSK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar gjeneralmajorin Bashkim Jashari, komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas dorëheqjes së Rrahman Ramës.

Siç ka njoftuar Presidenca, emërimi ka ardhur siç parashihet në ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës.

“Para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, Presidentja e Republikës së Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij”, thuhet në njoftim.

Bashkim Jashari është i biri i Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari.