Kolumna

Nuk është çlirim, është vetëm ndërrim i sistemit represiv

(Për 29 nëntorin, një ditë që Shqipëria zyrtare e feston si “ditë çlirimi”)

Një regjim që pas vitit 1945 ka vrarë mbi 6000 shqiptarë e shqiptare.
Një regjim që ka burgosur mijëra shqiptarë e shqiptare.
Një regjim që ka vrarë qindra njerëz në kufi.
Një regjim që ka internuar mijëra njerëz anekënd vendit.
Një regjim që u ka grabitur pasurinë njerëzve.
Një regjim që i ka syrgjynosur, torturuar e poshtëruar qindra intelektuale e intelektualë.
Një regjim që ka shkatërruar mijëra familje për shkak të “biografive”.
Një regjim që ua mori dinjitetin njerëzve.
Një regjim që e shndërroi vendin në Kore të Veriut në Mesdhe.
Një regjim paranoik dhe kriminal që “ndërtoi” një vend invalid dhe të izoluar.
Një regjim që e torturoi murgeshën 22-vjeçare Marije Tuci, pastaj e futi në një thes (bashkë me një mace) dhe ia mori shpirtin duke e goditur me shufra metalike. Marije Tuci vdiq sepse nuk ishte e vullnetshme ndaj instinkteve kafshërore të një xhelati të Sigurimit në Shkodër.
Një regjim që me represion brutal dhe shumëvjeçar e çoi drejt vdekjes Musine Kokalarin.
Një regjim që vazhdon të jetë i pranishëm në politikën shqiptare me elementë të oligarkisë, me adhurues të diktaturës, me lartësues të “veprave” të diktaturës, me torturues e kasapë – të gjithë të paprekur nga drejtësia.

29 nëntori nuk është ditë çlirimi. Është dita kur nazistët ikën (për shkak se e kishin humbur luftën në fushëbeteja të tjera globale) dhe kur komunistët nuk morën pushtetin si çlirimtarë, por si hakmarrës e gjakatarë.

Një regjim që i ka lënë trashëgimi shoqërisë një mendësi të tmerrshme: profanizimin e viktimave.
Andaj mungon empatia për viktimat dhe njëkohësisht nëpër pika karburanti ende shiten CD me këngë që lartësojnë kastën e kaluar komuniste-kriminale.
Andaj ka përpjekje që bunkerizimi i Shqipërisë të paraqitet si një devijim humoristik dhe jo si çmenduri e një regjimi të çmendurish.
Andaj bëhen përpjekje për ta muzealizuar të kaluarën me tone humori – thua se ishte teatër kukullash dhe jo sistem që vriste.
Andaj ka përpjekje që Shqipëria komuniste të paraqitet si një lloj teatri absurd, një lloj Molvanie ku realisht askush nuk është fajtor.

Para disa vitesh qe botuar një doracak për Molvaninë si cak turistësh. Molvania nuk ekziston, është vend fiktiv. Në këtë vend absurdi e ndjek absurdin. Mileti pi raki hudhre, mjerimi ka një dozë hijeshie dhe ushqimi vegjetarian nuk guxon të ketë më shumë se 25 për qind mish derri.