Mënyra e Filipçes për të nxitur vaksinimin: Mjekët të fitojnë nga 30 denarë për pacient, nëse imunizojnë 70%
Mjeku amë të shpërblehet me 30 denarë për pacient nëse kundër virusit korona arrin të vaksinojë 70% nga numri i përgjithshëm i pacientëve. Ky është propozimi më i ri i Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe për stimulimin e imunizimit. Ky propozim do të diskutohet të hënën në mbledhjen e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, e më pas do t’i dorëzohet Qeverisë, e cila e ka fjalën e fundit.
“Në këtë drejtim kemi menduar dhe hulumtuar dy tre ditët e fundit. Do t’i rekomandojmë qeverisë një masë të re, e kjo është stimulim i posaçëm për mjekët amë. Mjekët amë do të jenë të stimuluar financiarisht kur të kalojnë 70% të vaksinuar nga numri total i pacientëve që kanë, do të shpërblehen me 30 denarë për një pacient, për gjithë pacientët që janë të shkruar tek ata”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Komisioni për sëmundje ngjitëse do të diskutojë edhe rreth mundësisë për masa kufizuese shtesë, për shkak të përhapjes së mutacionit të ri Omicron, i cili është zbuluar në Afrikë të Jugut, derisa disa raste janë paraqitur tashmë edhe në Evropë.
“Bëhet fjalë për mutacion të ri të virusit Omicron që ka një numër të madh të mutacioneve dhe këtu është dyshimi se mund që të jetë më i forti nga të gjitha variantet e deritanishme. Megjithatë ka pasur shumë mutacione që te ne nuk janë përhapur, kishte edhe variante tjera si Delta që u përhap gjithkund. Do t’i shqyrtojmë edhe këto mundësi të hënën në mbledhjen e KSN”, shtoi Venko Filipçe – ministër i Shëndetësisë.
Qeveria në seancën e 25 nëntorit nuk ka marrë vendim për propozimin e Komisionit për sëmundje Ngjitëse për vaksinimin e obligueshëm të punëtorëve shëndetësorë dhe rekomandimin për imunizimin e sektorit publik dhe privat dhe ka kërkuar nga Komisioni analiza shtesë për masat e propozuara.