Kasami: Borxhi i komunës së Tetovës mbi 24 milionë euro
Vetëm komuna e Tetovës ka borxh në vlerë prej 14 milionë euro, kurse bashkë me ndërmarrjet që janë në kompetencë të komunës gjithsej borxhi është 24 milionë euro.
Kështu ka thënë kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, në seancën e jashtëzakonshme të këshillit të komunës së Tetovës të mbajtur sot.
“Në anën tjetër ndërmarrja komunale ka borxh prej 9.7 milionë euro, ndërmarrja parkingu ka borxh prej 187 mije euro dhe ne total borxhi i komunës se Tetovës bashkë me ndërmarrjet dhe detyrimet ndaj shkollave është 24 milion e 18 mije euro”, informoi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Sipas tij, këta ta dhëna janë sipërfaqësore dhe si informacion për këshilltarët, kurse për opinionin do të del me të dhëna të detajuara ditëve në vijim për shkak të tragjedisë që ndodhi me autobusin në Bullgari, ku gjashtë persona humbën jetën vetëm nga Tetova. Pikërisht për këtë tragjedi, komuna e Tetovës ka ndarë ndihmë për familjarët me vlerë prej një mijë euro.
“Mund të them se vlera është simbolike dhe është një përkrahje për familjarët të cilët humbën të afërmit e tyre. Ende nuk kemi informacion të saktë se sa qytetarë janë nga Tetova dhe do të presim këtë informacion dhe pastaj do të ndahen mjetet”, tha kryetari i këshillit të komunës së Tetovës Besar Durmishi.
Në seancën e jashtëzakonshme të gjithë këshilltarët kanë përkrahur vendimin për marrjen e një granti në vlerë prej 7 milionë denarëve për furnizim me kontainerë dhe kontainier gjysmë-nëntokësor të destinuar për fshatrat e Malësisë së Tetovës dhe për qytetin e Tetovës.