Maqedoni

“Rroga në arsim duhet të jetë 37 mijë denarë”

Me rritjen e pagës minimale duhet të rriten edhe pagat tjera të punëtorëve në raport me koeficientin e kompleksitetit, thotë Bllagoja Ralpovski, kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Lira . Nëse paga minimale është 15.000 denarë, atëherë mësimdhënësit duhet të marrin 37.000 denarë.

Ralpovski ka reaguar edhe ndaj masave të reja që janë paralajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë. Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ai thotë se vaksinimi duhet të jetë në mënyrë vullnetare dhe jo i obligueshëm ndaj të gjithë të punësuarve.

“Ajo që është shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, gjegjësisht ministri Venko Filipçe është krejtësisht antikushtetuese dhe diskriminuese. Punonjësit e sektorit publik apo çdo punëtor nuk mund të shantazhohen për t’u vaksinuar për të gjetur një vend pune. Është e ndaluar me Kushtetutë, është e ndaluar me ligj, në fakt Këshillin Evropian, që është institucioni më i vjetër evropian, ka miratuar një rezolutë në të cilën thuhet se vaksinimi duhet të jetë vullnetar”, u shpreh Ralpovski.

Ai më tejë paralajmron se nëse vaksinimi do të bëhet i obligueshëm ose për të bërë PCR test me vet-pages për të shkuar në punë, do të marin masa radikale.

“Mund të nisin protestat, mund të nisë edhe greva. Sindikata është një organizatë e bazuar në solidaritet. Besoni këtu se edhe kolegët që janë vaksinuar i kundërshtojnë këto masa, sepse mendoj se është ç’njerëzore të detyrosh dikë të bëjë diçka që nuk është e përcaktuar me ligj”, tha Bllagoja Ralpovski, kryetar i KSL .

Kreu i konfederatës së sindikatave thotë se nuk është kundër vaksinimit por kundër detyrimit për tu vaksinuar, pasi ai vetë i ka marrë të dyja dozat e vaksinës. Sipas tij zgjedhja për tu vaksinuar apo jo është e lirë dhe siç thotë ai për këtë arsye para se të merren masa të tilla është e nevojshme të edukohen punonjësit se përse nevojitet vaksinimi.