Maqedoni

Alternativa në konsultime brendapartiake

Alternativa ka filluar menjëherë konsultimet brenda partiake me degët për opsionet e veprimit gjatë ditëve të ardhshme. Partia e Afrim Gashit shqyrton hyrjen në Qeveri ose qëndrimin në opozitë. Ata sot për Alsat nuk donin të sqarojnë qëndrimet “për” dhe “kundër” pas takimit të një dite më parë mes Zoran Zaevit dhe Afrim Gashit.

“Mbrëmë pas përfundimit të takimit kryetari sqaroi për periudhën që pason brenda në parti. Derisa organet e partisë nuk përmbyllin diskutimin dhe nuk merret vendim, nuk kemi çfarë të shtojmë”, thonë nga Alternativa.

Brenda kësaj partie ekzistojnë ndarje mes atyre që janë “për” dhe “kundër” hyrjes në Qeveri. Alsat nga burime partiake mëson se në anën e atyre që duan partia të rreshtohet me pushtetin janë edhe deputetët. Por, po aq të zëshëm janë edhe ata që kundërshtojnë.

Ditët e ardhshme shfrytëzohen për sqarimin e pozitave bazë që më pas palët të vendosin nëse do t’i vazhdojnë negociatat. Siç sqaroi kryeministri Zaev, në takim janë diskutuar çështje që kanë të bëjnë me përmbaruesit, rajonet e pazhvilluara mjaftueshëm dhe aspekte sociale. Nëse ka marrëveshje dhe këto kushte pranohen, do të nevojitet edhe ndryshimi i programit të Qeverisë. Zaev dhe Gashi thanë se nuk kanë diskutuar për pozita ministrore.

Takimin e Gashit me Zaevin nuk e komenton partneri i deritanishëm i koalicionit Aleanca për Shqiptarët. VMRO-DPMNE-ja nga ana tjetër, ndjen keqardhje për Alternativën nëse ajo vendos ta lëshojë opozitën dhe të bëhet pjesë e pushtetit.

“Nëse Alternativa mendon se duhet të jetë pjesë e Qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së dhe gjithë asaj që ata mbajnë si bagazh pas vetes, krim, korrupsion dhe varfëri atëherë vërtetë na vjen keq. Alternativa ka dy opsione, njëri është ta dëgjojnë zërin e qytetarëve të cilët në këto zgjedhje lokale zëshëm ju kundërvunë politikave të LSDM-së dhe BDI-së ose të shkojë pas garës për pozita dhe të ngrohet në ledhatimin kriminel të Zaevit”, tha Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

Një vendim final pritet të merret gjatë ditëve të javës së ardhshme. Zaev tha se kur të sigurohet që shumica është stabile, do ta zbatojë dorëheqjen e tij. Ai paralajmëroi takim të Kryesisë qendror të partisë për të martën për të zyrtarizuar largimin nga kreu i partisë.