Kosovë

Kosova pret e përcjell migrantë

Palestinezi Mohamad Al Tael, 26 vjeç, ka dhjetë muaj që është duke qëndruar në Kosovë, në kampin për azilkërkues në Magure.

Ai ka udhëtuar për më shumë se tre muaj. Është nisur nga Turqia në Greqi, ka kaluar kohë në Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe, në fund, është vendosur ilegalisht në Kosovë.

Mohamadi thotë se planifikon të largohet edhe nga Kosova drejt një vendi, ku, sipas tij, mund të gjejë punë.

“Plani im është që të dal jashtë, të filloj të gjej ndonjë punë, ndoshta të shoh sesi të bashkohem me familjen time nëse mundem”, thotë ai.

Mohamadi ka gati katër vjet që është larguar nga vendlindja e tij në Autoritetin Palestinez, në kërkim të një jete më të mirë. Që nga ajo kohë thotë se ka shpenzuar mbi 20 mijë euro, duke qëndruar dhe udhëtuar nga njëri shtet në tjetrin.

Bashkë me të, në kampin në Magure, që ndodhet rreth 15 kilometra larg Prishtinës, jeton edhe Nasser Almassalma, 54 vjeç, nga Siria.

Ai ka hyrë në Kosovë nga Serbia dhe fillimisht është vendosur në qendrën për azilkërkues në Vranidoll, e cila ndodhet më afër Prishtinës – rreth 15 kilometra.

“Kam jetuar në Hungari për më shumë se 20 vjet dhe ata më kanë deportuar. Kam shkuar në Serbi dhe nga Serbia kam ardhur në Kosovë. Kosova me pëlqen, njerëzit këtu janë të mirë dhe të respektueshëm”, thotë Nasseri.

Mbi 1,300 migrantë kanë hyrë në Kosovë në gati 11 muaj

Brenda një viti, Kosovën e shfrytëzojnë qindra migrantë si vend transiti për në vendet e Bashkimit Evropian.

Migrantët që hyjnë në Kosovë ilegalisht, janë kryesisht nga Siria, Maroku, Algjeria, Afganistani dhe Libia.

Fitim Zariqi, drejtor i Qendrës për Azil në fshatin Magure të Lipjanit, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga janari deri më 17 nëntor, 516 migrantë që kanë kërkuar azil në Kosovë, janë regjistruar si azilkërkues.