Maqedoni

A do të mjaftojnë 65 milionë eurot për përballimin e krizës energjetike?

Buxheti i paraparë fillimisht për përballimin e krizës energjetike prej 65 milionë euro, sipas Qeverisë për momentin është i mjaftueshëm, shkruan Alsat.

Paratë do të ndahen në tre pjesë. Një pjesë do të jetë për furnizimin me thëngjill, një pjesë për blerjen e energjisë elektrike nga jashtë, dhe pjesa tjetër për ruajtjen e gjendjes financiare të dy kompanive shtetërore të energjisë, EMV dhe MEPSO. Nëse ka nevojë për më shumë para, ato do të ndahen nga buxheti i vitit të ardhshëm, tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

“Ne kemi bërë një pako masash që kushton 65 milionë euro, të cilat besojmë se do të na bëjnë në gjashtë muajt e ardhshëm të sigurojmë, që as familjet dhe as ekonomia të mos shqetësohen realisht për të ardhmen e tyre dhe krizën energjetike”, u shpreh Fatmir Bytyqi -Zëvendës Kryeministër për Ekonomi.

Por opozita nuk mendon kështu. Nga VMRO-DPMNE thonë se përveç ndikimit të jashtëm, ndikim të madh në gjendjen e keqe energjetike ka edhe keq menaxhimi me kompanitë energjetike. Opozita kërkon përgjegjësi dhe përgjigje për atë sesi erdhi deri në këtë gjendje në sektorin e energjisë.

“Pse erdhëm në situatë të importojmë qymyr? Pse lejuam që anija të fundoset në ujë? Pse nuk gjejmë qymyr në serinë e ulët të qymyrit? Pse e shtymë blerjen e mekanizimit që duhej të blihej në vitin 2017? Ka vetëm disa kamionë, dhe shikoni çfarë absurditeti- qëndrojnë në TEC Manastir sepse nuk ka shoferë. E ku janë shoferët? Të gjithë janë promovuar para zgjedhjeve dhe tani nuk ka kush t’i drejtojë”, tha Gordana Dimitrieska Kocoska VMRO-DPMNE.

Në dhjetë ditët e fundit, një sërë defektesh kanë prekur prodhuesin më të madh të energjisë elektrike në vend, TEC Manastir dhe kjo e ka rënduar edhe më shumë situatën. Për këtë shkak, termocentralet shtetërore EMV u detyruan të blejnë energji elektrike të shtrenjtë nga bursat ndërkombëtare. Ndryshe, drejtori i MEPSO-s Kushtrim Rexhepi për Alsat theksoi se të paktën 150 milionë euro është vrima në sektorin e energjisë, por informacionet tona thonë se minusi në këtë sektor kalon 300 milionë euro./ Alsat.mk