Dimitrov: Vetoja bullgare për integrimet evropiane të Maqedonisë është investim në antagonizëm
Kushti anti-evropian nuk mund të jetë kriter për BE-në, thotë zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov.
Sipas tij, bllokada bullgare për integrimet evropiane të Maqedonisë është investim në antagonizëm në vend të miqësisë. Këtë Dimitrov e tha në diskutimin për politikën e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, që u mbajt mëngjesin e sotëm në Madrid.
Dimitrov tha se nuk ka bazë ligjore dhe as nuk është e denjë që një shtet në botë të njohë apo të mos njohë një gjuhë.
“Nuk mund të krijoni një kusht antievropian dhe ta paraqisni atë si kriter për anëtarësimin e një vendi në BE dhe sigurisht jo pasi u ngjitëm në malin e madh – çështjen e emrit. Zgjidhja me Greqinë ishte e mundur, e kemi shtuar mbiemrin Veriore, vetëm sepse Greqia pranoi të drejtën tonë për vetëvendosje dhe gjuhën maqedonase”, tha Dimitrov.
Ai shtoi se me bllokimin e integrimeve evropiane të Maqedonisë, Bullgaria e shkel Marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes dy vendeve, ndërsa nga pala maqedonase nuk ka shkelje të tillë.