Apasiev përgenjështron Kastriot Rexhepin: E shkele Besën
Lideri i partisë “E Majta” dhe njëkohësisht deputet, Dimitar Apasiev, në profilin e tij në Facebook ka akuzuar deputetin Kastriot Rexhepi se paturpësisht gënjen se nuk e ka ditur se “E Majta” do të jetë në listë, përkatësisht në nismën për votëbesimin e qeverisë, përcjell Nistori.
“Kastrioti i rrëmbyer GËNJEN paturpësisht se nuk e dinte që në listë do të ishte edhe “E Majta”. Unë nënshkrova i 58-ti, ndërsa ai tre vende më poshtë – i 61-ti, në të njëjtën fletë! Mos ishte deputet i verbër, deputet i shantazhuar? Mos e lani ndërgjegjen. Nuk lahet. Jep dorëheqje. E shkele besën! Është e vështirë të jetosh me tradhti pas vetes”, ka shkruar Apasiev.
Përndryshe, në “Click Plus”, Kastriot Rexhepi shpjegoi arsyet pse ka ndryshuar rreth votimit.
“Po, edhe unë kam nënshkruar. Kishte një marrëveshje tjetër. Kemi pasur premtime të tjera. Na thanë se do të kishte edhe deputetë të tjerë. Nënshkruam dhe shkuam në shtëpi. Kur shkova në shtëpi, pashë një foto me Apasiev. U hotova. Thikë në shpinë. Çfarë mund të them më shumë. Menjëherë ndryshova mendje. E pashë që kjo nuk po shkonte mirë. Vetë e mora vendimin tim. Fillova të konsultohesha edhe me miqtë. Jam konsultuar edhe me ndërkombëtarët, me kryetarin e komisionit për bashkëpunim ndërkombëtar”, ka thënë Rexhepi. /Nistori/