Rajon - Botë

Gjukanoviçit i del emri te përgjimet e Taçit në Shqipëri, Abazoviç: Nuk duhet të jetë i paprekshëm

Presidentit malazez Milo Gjukanoviç i ka dalë emri në përgjimet e Anti-Mafies italiane që përfshijnë hetimet për ish-manjatin shqiptar të naftës, Rezart Taçi në lidhje me transferimin e një shume prej rreth 19 milionë euro nga Zvicra në Tiranë me destinacion final Singaporin ose Hong Kongun.

Në dokumente përveç presidentit malazez, përmendet edhe vëllai i tij Aco, aksionari më i madh i Bankës së Parë të Malit të Zi. Raporti përmban një transkript ku përmendet Gjukanoviç në kontekst të një ndërhyrjeje për një transaksion.
Portali RTCG kërkoi një koment nga presidenca malazeze, por nuk mori përgjigje. Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic kërkon hetim të plotë. “Sektori i sigurisë do të veprojë sipas ligjit dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të hetimit. Për ne nuk ka të paprekshëm. Qëllimi ynë është të ketë një qasje sa më të gjerë të drejtësisë.

Shpresojmë gjithashtu që Prokuroria të ndjekë këtë shembull dhe të reagojë në mënyrë aktive” deklaroi ai. Në Shqipëri është arrestuar kunati dhe ish-truproja i Rezart Taçit, i cili vijon që të jenë në kërkim nga drejtësia shqiptare.

Ish-bosi shqiptar i naftës akuzohet për pastrim parash pasi dyshohet se ndihmoi një sipërmarrës kontrovers italian të dyshuar më parë për lidhje me “Cosa Nostra”-n për të transferuar 19 mln euro.