Maqedoni

Mbledhje e përfaqësuesve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë në Nish për zbatimin e nismës “Ballkan i Hapur”

Në Nish mbrëmë u mbajt mbledhje e ministrave dhe përfaqësuesve të qeverive të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë në suaza të nismës “Ballkan i Hapur”, që e hapi ministri serb i Financave Sinisha Mali, i cili porositi se qëllimi i tre vendeve është se duhet të punojnë si një, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Mali u dëshiroi mirëseardhje ministrave dhe përfaqësuesve të qeverive të Maqedonisë së Veriut, të cilën e prezantoi zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Trajan Dimkovski, dhe të Shqipërisë, të cilët në dy ditët e ardhshme do të bisedojnë si të realizohet nisma “Ballkan i Hapur” gjegjësisht si të mënjanohen barrierat për biznesin dhe qytetarët.

Ai potencoi se qëllimi i përfaqësuesve të qeverive të tre vendeve është në dy ditët e ardhshme të përpunojnë një plan si të përmirësohet rrjedha e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, si dhe të mënjanohet gjithë ajo që të tre ekonomitë e shikojnë si pengesë për zhvillim dhe përparim.

Takimi i përfaqësuesve të qeverive të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë ishte hapur mbrëmë me mbledhje ministrore, ndërsa përfaqësuesit qeveritar dhe anëtarët e grupeve sektoriale në dy ditët e ardhshme në Nish do të bisedojnë për lejet e punës dhe lehtësimet në tregti, që do të mundësojë rrjedhë të lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve në këto tre vende, citojnë nga Ministria serbe e Financave.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të RMV-së, Dimkovski theksoi se realizimi i nismës “Ballkan i Hapur” nuk do të jetë i lehtë, por që tre qeveritë së bashku do të luftojnë që ajo të arrihet.

Ai shfaqi shpresë se nisma do të sjellë të ardhme më të mirë për ekonomitë e tre vendeve dhe se ideja do të sjellë disa ide të reja.

Ministrja shqiptare për Financa dhe Ekonomi Delina Ibrahimaj, shfaqi shpresë se fundjava do të jetë e suksesshme dhe se do të kontribuojë nisma “Ballkan i Hapur” të ndodh sa më shpejtë.