Maqedoni

Maqedoni: Hetimi i Policisë Financiare zbulon aferën prej 1.5 milion eurove

Në Dellçevë janë dhënë parcela dhuratë dhe më pas i janë shitur EVN-së për çmime jo reale. Sipas burimeve të televizionit Alsat, ky është rezultati i hetimeve të Drejtorisë së Policisë Financiare për rastin e parcelave të blera të EVN-së për ndërtimin e fotovoltaikëve për prodhimin e energjisë elektrike nga energjia diellore. Në gjithë këtë skemë janë përfshirë disa persona nga Dellçeva, të cilët dyshohet se kanë marrë tokë si dhuratë nga banorët e fshatrave përreth, të cilëve në fakt u kanë paguar të holla në dorë.

Këta persona, sipas informatave të Alsat, për t’i marrë parcelat kanë dhënë rreth 20 mijë euro. Më pas tokën ia kanë shitur EVN-Termocentrale edhe atë për shumë që tejkalon 1.5 milionë euro. Alsat mëson se EVN-së tokat i janë shitur gjatë fushatës zgjedhore dhe në vetë procesin zgjedhor dhe pikërisht për këtë hetimi po zhvillohet për të vërtetuar nëse këto para janë përdorur për financimin e aktiviteteve politike në zgjedhjet lokale.

Partia në pushtet LSDM pyet nëse paratë janë përdorur ilegalisht për financimin e fushatës zgjedhore të OBRM-PDUKM-së, pas bastisjes së djeshme në shtëpinë e punonjësit të EVN-së, Rade Jauleski, djali i të cilit është deputet i OBRM-PDUKM-së.

“A ka marrë pjesë babai i Jauleskit në financimin e paligjshëm të një partie politike për të cilën Drejtoria e Policisë Financiare po kryen hetime paraprake? Vallë paratë nga rishitja kanë përfunduar në OBRM-PDUKM, pasi kjo parti menjëherë i doli në mbrojtje Jauleskit dhe babait të tij?”, thonë nga LSDM.

Ndërsa nga OBRM-PDUKM, bëjnë paralele me rastin e pasaportave maqedonase të lëshuara për kriminelët e kërkuar nga Interpoli.

“OBRM-PDUKM nuk është organ hetimor dhe nuk ka informacione të tilla lidhur me këtë temë. Kjo është njësoj si të pyesësh Oliver Spasovskin dhe Zoran Zaevin nëse ishin nikoqir të mirë të Sedat Pakerit apo liderët e klaneve Shakalar dhe Kavaç që kanë pasaporta maqedonase”, thonë nga OBRM-PDUKM.

Dje pjesëtarët e policisë financiare kanë bastisur disa lokacione në Shkup dhe Dellçevë. Janë konfiskuar celularë dhe kompjuterë, të cilët do të përcaktojnë lidhjen e të gjithë personave të mundshëm të përfshirë në këtë rast.