Kosovë

Osmani: Kosova do të vazhdojë të mbetet partner i ngushtë i USAID-it

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me administratoren e USAID-it, Samantha Power, të cilën e ka falënderuar për kontributin e kësaj organizate jo vetëm në mbështetjen e institucioneve të Kosovës, por edhe në ofrimin e asistencës në shumë fusha e sektorë.

Sipas Presidentes Osmani, Republika e Kosovës do të vazhdojë të mbetet partner i ngushtë i USAID-it, ndërkohë që ka uruar këtë organizatë në 60-vjetorin e themelimit të saj.

Në takim me Power, Osmani e ka falënderuar edhe për marrëveshjen e Grantit për Objektivat Zhvillimore dhe tre Amendamentet, në vlerë prej më shumë se 41 milionë dollarë, thuhet në komunikatën nga Zyra e Presidencës.

“Jam e lumtur që programet e USAID-it janë në sinkron me planin zhvillimor të institucioneve të Kosovës. Sundimi i ligjit është prioriteti ynë kryesor. Ne mirëpresim dhe mbështesim çdo iniciativë që forcon shtetin e së drejtës, rritë besimin dhe mbështetjen e publikut ndaj sistemit të drejtësisë”, është shprehur Osmani.

Më tej, Osmani ka theksuar se potenciali më i madh i Kosovës janë njerëzit e saj, veçanërisht rinia, teksa ka përmendur se fuqizimi i grave, agjenda mjedisore dhe projektet që lidhen me sektorin e teknologjisë janë ndër prioritetet kryesore.

Ajo ka falënderuar shtetin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“Republika e Kosovës dhe populli i saj do t’i jenë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara dhe popullit të saj, që qëndruan me ne në kohët më të errëta dhe që na ndihmojnë të zhvillohemi e të rritemi”, ka theksuar ajo.