Arjanit Hoxha reagon ndaj Kastriot Rexhepit, flet për “shantazhe dhe kërcënime mbi vullnetin e popullit”
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha ka reaguar pas veprimit të deputetit të kësaj partie, Kastriot Rexhepit për të mos marrë pjesë në seancën e sotme për mosbesimin e Qeverisë.
Mes të tjerash, në reagim, Hoxha flet për “shantazhe dhe kërcënime mbi vullnetin e popullit”, transmeton TV21.
“Kulmi i rrezikut të demokracisë arrin kur përmes formave jodemokratike edhe deputetëve ju pamundësohet shprehja e lirë e vullnetit. Kërcënimi, shantazhi apo format e tjera të ndikimit janë tregues për instalimin e një regjimi që është vënë mbi vullnetin e popullit. Edhe përkundër gjithave Lëvizja BESA vazhdon luftën. Ecim në rrugën tonë të shenjtë për ta mposhtur ZULLUMIN! Çdokush individualisht do përgjigjet për veprimet e veta, ndërsa Lëvizja BESA vazhdon rrugëtimin politik. Bashkëpunimi opozitar me ASH-AAA do vazhdojë deri në rënimin e fundit të këtij regjimi”, shkroi Hoxha në Facebook.