Nesimi: BDI agjendën evropiane mund ta mbështesë edhe si opozitë
Shkruan Robert Nesimi
Sipas qëndrimeve zyrtare publike të BDI, ata në rradhë në të parë kanë interes që shteti të ruajë kursin evropian. Nëse është vërtetë kështu atëherë BDI nuk ka pse të shqetësohet, sepse agjenda evropiane mund të mbështetet edhe duke qenë në opozitë.
Në fakt opozita e deridjeshme këtë e ka dëshmuar në raste të panumërta. Siç dihet shumica parlamentare ka qenë tejet e brishtë dhe shpesh atë e ka mbështetur edhe opozita shqiptare, në rastet kur vërtetë ka qenë në pyetje kursi euroatlantik i vendit. Opozita e deridjeshme pra ka dëshmuar se agjenda evropiane mund të mbështetet edhe duke qenë në opozitë.
Andaj nuk është e qartë pse BDI është e shqetësuar për agjendën evropiane nëse ajo mbetet në opozitë. Përveç nëse ajo vetë planifikon të destabilizojë vendin po mbeti në opozitë, siç paralajmëruan disa eksponentë të saj.
Poashtu nuk është e qartë pse BDI mendon se vendi nuk është stabil kur në vend nuk po ndodh asgjë e jashtëzakonshme. Thjeshtë kemi të bëjmë me rrënien e një qeverie dhe zëvendësimi i saj me një tjetër, gjë që është shtyllë bazë e çdo sistemi demokratik. Përsëri përveç nëse ajo vetë e llogarit veten faktor destabilizimi nëqoftëse mbetet në opozitë.
Mendoj se BDI së pari duhet të pastrojë këto dilema me vetveten. A është më me rëndësi kursi evropian i vendit, apo të qenurit e saj në pushtet? Po qe e para, atëherë nuk ka nevojë për asnjë shqetësim.