Pas dorëheqjes së Zaevit, në dorëheqje është gjithë Qeveria, duhet të ketë mandatar të ri
Dorëheqja e mbrëmshme e kryeministrit Zoran Zaev, në fakt do të thotë dorëheqje e gjithë Qeverisë. Sipas nenit 93 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, Zaev tani duhet me shkrim ta njoftojë kryetarin e Kuvendit, ndërsa më pas vijon procedura për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Neni 93 i Kushtetutës së Maqedonisë thotë se “… dorëheqja e kryeministrit, vdekja e tij ose pengimi i përhershëm i tij në kryerjen e detyrave të tij, sjell dorëheqjen e Qeverisë. Qeveria ndaj të cilës është votuar votëbesimi, ka dhënë dorëheqje ose mandati i së cilës është ndërprerë për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re”.
Pra, zyrtarisht dhe ligjërisht kryeministri dhe qeveria aktuale vazhdojnë të punojnë derisa presidenti i shtetit t’ia ndajë mandatin për përbërjen e Qeverisë kandidatit të partisë, pra partive që kanë shumicën në Kuvend. Më pas, mandatari i ri për kryeministër, në afat prej 20 ditësh nga dita e marrjes së mandatit, duhet të paraqesë program në Kuvend dhe të propozojë përbërjen e Qeverisë së re.
Pas rezultateve të djeshme të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe humbjes bindëse të kandidatëve të LSDM-së, Zoran Zaev dha dorëheqje si nga posti i kryeministrit ashtu edhe nga kryesia e LSDM-së.