Aktori i njohur vret aksidentalisht fotografen dhe plagos regjisorin gjatë xhirimeve
Aktori i njohur, Alec Baldin vrau aksidentalisht me armë drejtoreshën e fotografisë dhe plagosi regjisorin gjatë xhirimeve të një filmi Western, në Nju Meksiko.
Qenë zyrtarët e policisë në qarkun Santa Fe në Nju Meksiko ata që bënë me dije se drejtoresha e fotografisë Halyna Hutchins dhe regjisori Joel Souza u qëlluan të enjten gjatë xhirimit të filmit “Rust”, i cili tregon një histori të shekullit të 19-të.
42-vjeçarja Hutchins, u transportua me helikopter në Spitalin e Universitetit të Nju Meksikos, ku më pas u deklarua e vdekur nga personeli mjekësor, njoftuan autoritetet.
Souza, 48 vjeç, u dërgua me ambulancë në Qendrën Mjekësore Rajonale Christus St. Vincent, ku edhe po trajtohet aktualisht për plagët që mori nga plagosja.
Prodhimi i filmit në fjalë është ndërprerë.
Një zëdhënës i aktorit Baldwin tha gjithashtu se gjatë setit të xhirimeve ndodhi një aksident për shkak të shkrepjes së një pistoletë që aktori po përdorte për rolin.
Gazeta “Santa Fe New Mexico” raportoi se 68-vjeçari Alec Baldwin u pa të enjten jashtë zyrës së policisë, i përfshirë në lot. Përpjekjet e gazetarëve për të marrë ndonjë deklaratë prej tij ishin të pasuksesshme.
Sipas të dhënave në faqen e saj personale, Halyna Hutchins ishte me origjinë nga Ukraina dhe u rrit në një bazë ushtarake sovjetike në Rrethin Arktik. Ajo studioi gazetari në Kiev dhe kinematografi në Institutin Amerikan të Filmit në Los Angeles. ajo u cilësua një “yll në rritje” nga revista “Kinematografia Amerikane” në vitin 2019.
Ajo ishte drejtoreshë e fotografisë në filmin aksion “Archenemy” të vitit 2020, me regjisor Adam Egypt Mortimer.
“Jam shumë i trishtuar për humbjen e Halyna. Si edhe tepër i indinjuar që kjo gjë mund të ndodhë në një set xhirimesh. Ajo ishte një talent brilant, absolutisht e përkushtuar ndaj artit dhe filmit”, tha Mortimer në një postim në Twitter.