Kolumna

Rinia, përballja me realitetin dhe regjistrimi

DRILON NEZIRI

Rinia është një koncept që është debatuar në trajnime, konferenca dhe vazhdon të debatohet, por kur përballemi me praktikën nuk është ajo që në teori promovohet.
Disa njerëz pretendojnë se rinia është thjesht një tranzicion nga fëmijëria në moshën e rritur, ndërsa të tjerët e konsiderojnë atë si një fazë jetësore që duhet të njihet për të pasur një grup të vetin të çështjeve dhe përvojave komplekse, jo më e rëndësishmja e të cilave është ndryshimi i shpejtë socio-ekonomik. Pavarësisht pikëpamjeve të dikujt mbi konceptin e të rinjve, situata e njohur si papunësia e të rinjve është ajo që duhet të na shqetësojë të gjithëve.
Unë si një përfaqësues i rinisë së vendit tim has në nënvlerësim, pabesi si dhe mos marrje parasysh të fjalës që kam për të thënë, punën në të cilën aplikoj ose parti politike ku dua të inkuadrohem. Mendoj se fenomeni kryesor i cili po sjell këtë fobi ndaj rinisë, është egoizmi i personave precedentë për arsye se ne si rini në një periudhë të afërt kohore do zëmë vendet e tyre, do marrim vendime në vend të tyre por më me rëndësi do bëjmë dryshimin që ata nuk kanë mundësi ta bëjnë.
Të qenit i papunë për një periudhë të gjatë kohore në rini ka lidhje të drejtë për drejtë me uljen e motivimit, inspirimit, lumturisë, kënaqësinë për punë dhe çështje të tjera të shëndetit mendor. Të rinjtë e papunë gjithashtu raportojnë më shumë izolim nga komuniteti i tyre. Të rinjtë që nuk punojnë dhe as studiojnë nuk kanë mundësi të mësojnë dhe të përmirësojnë aftësitë e tyre.
Disa nga problemet të cilat i shkakton papunësia:
• Papunësia dhe varfëria shkojnë krah për krah.
• Të rinjtë pas një kohe të gjatë papunësie gjejnë mënyrën e gabuar për të fituar para.
• Për të hequr qafe stresin e papunësisë, ata pranojnë alkool ose drogë.
• Të rinjtë e papunë pranojnë vetëvrasjen si opsionin e fundit të jetës së tyre.
• Rënie ekonomike, shpërngulje, etj..
Probleme këto, të cilat i hasim çdo ditë brenda shoqërisë tone dhe për fat të keq po çojnë në shkatërrimin e shpresës, atë arsye të vetme që ne kemi për tu ndalur dhe për të punuar për të mirën e këtij vendi.
Termi “papunësi e të rinjve” është saktësisht ajo që nënkupton dhe emri i saj rezulton kur të rinjtë – të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara si 15-24 vjeç – po kërkojnë punë por nuk mund t’i gjejnë ato. Ndërsa vetë papunësia është një problem – veçanërisht në prag të COVID ‑ 19 – papunësia e të rinjve po bëhet shpejt një krizë globale.
Si është gjendja globale e papunësisë?
Në të gjithë botën, papunësia prek 67.6 milion të rinj. Ndërsa niveli global i papunësisë së të rinjve aktualisht qëndron në 13.6%, numri ndryshon në mënyrë drastike sipas rajoneve. Papunësia e të rinjve është më e larta në Afrikën Veriore me një normë alarmante prej 30%, ose më shumë se dyfishi i nivelit global. E përafërt në Afrikën nën-Sahariane si dhe Amerikën Veriore.
Këto shifra tregojnë se ka nevojë për të ndihmuar të rinjtë të hyjnë dhe të qëndrojnë në punësim. Pandemia e vazhdueshme dhe sfidat ekonomike globale që rezultojnë e komplikojnë më tej këtë nevojë.
Aktualisht vendet me nivelet më të larta të papunësisë së të rinjve në nivel global janë:
1. Gaboni (36%)
2. Tunizia (36.3%)
3. Polinezia Frenge (36.9%)
4. Botsuana (37.3%)
5. Maqedonia e V. (39.1%)
6. Namibia (39.5%)
7. Guiana Frenge (39.6%)
8. Bosnja dhe H. (39.7%)
9. Sh.Vincent (41.7%)
10. Gaza (42%)
Unë si i ri në Maqedoninë e Veriut apeloj që rinia e vendit tim mos humb shpresat dhe mos largohet, ajo që është larguar të regjistrohet deri 21 prill, me shpresë kthimi dhe të vazhdojmë të kontribojmë.
Të përballemi me realitetin sepse vetëm ne mundemi ta ndryshojmë!

(Studenti i Shkencave Politike UT, viti dytë në ligjeratën “Rinia si resurs njerëzor”)