OSBE-ODIHR: Shpesh herë kishte votime familjare në Maqedoni
Në konferencën e sotme për shtyp, kreu i misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR, Tana De Zulueta, tha se rrethi i parë i zgjedhjeve vendore u zhvillua në një frymë konkurruese, por nevojiten shumë ndryshime.
“Zgjedhjet lokale ishin konkurruese dhe liritë themelore në përgjithësi respektoheshin, por mangësitë e shumta në kuadrin ligjor theksojnë nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse. Partitë kryesore parlamentare kanë përparësi sistemike, veçanërisht në ndarjen e burimeve të fushatës publike, përfshirë në media”, tha De Zulueta.
Sipas saj, boshllëqet e shumta në ligj dhe ndryshimet ligjore të bëra afër ditës së zgjedhjeve kanë minuar stabilitetin ligjor dhe partitë më të mëdha parlamentare gëzojnë përparësi sistemike në ndarjen e burimeve publike për fushatën.
“Zbatimi i vonshëm i pajisjeve për identifikimin biometrik të votuesve shkaktoi sfida shtesë në zhvillimin e zgjedhjeve. Shumica e bordeve i kanë kapërcyer këto probleme sa më mirë që të munden. Vëzhguesit vunë re probleme me fshehtësinë e votimit dhe shpesh kishte votime në grup ose familjare që ndikuan negativisht në pjesëmarrjen e grave. Ka pasur gjithashtu raste të ndërhyrjes në numërim dhe të gjitha problemet u shkaktuan nga përfaqësuesit e kandidatëve”, tha Tana De Zulueta.