Maqedoni

Sela në Çair: T’i japim fund robërisë 20 vjeçare të shqiptarëve, të votojmë pastër më 17 tetor

Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela tha se teksa po afrohet dita e zgjedhjeve, ka mbetur vetëm një punë, të sillet fitorja për koalicionin ASH-AAA në zgjedhjet e 17 tetorit edhe atë prej raundit të parë.

“Ne do të duhet të angazhohemi edhe në këto pak ditë, në mënyrë që fitoren ta mbajmë të sigurt dhe të pastër. Dhe sa më tepër angazhoheni ju më tepër ua ndalin hapat atyre të cilët nuk dinë asgjë tjetër përpos kërcënimit, shantazhit, hajdutërisë që e kanë dëshmuar, edhe në zgjedhjet e kaluara këtu në Çair”, tha Sela, duke shtuar se tani ndryshon puna, ngase do të mbrohet vullneti i shqiptarëve i shprehur me votë.

Sela tha se duhet të flitet me të gjithë pa dallim për të dalur nga “monozmi 20 vjeçar që e kanë shqiptarët”

“T’i japim fund robërisë 20 vjeçare. Ata vijnë në emër të pushtetit, ndërsa pushteti jeni ju të dashur votues, qytetarët dhe popull, që ditën e zgjedhjeve jepni dhe merrni pushtet”, tha Sela.

Sela tha se kundërshtarët po mundohen të thonë të pavërteta.

“Ne e kemi me vete vetëm të vërtetën. Po, Aleanca dhe Alternativa, Ziadini dhe Afrimi dhe gjithë këto që i shihni këtu, çdoherë do shkelin mbi veten e tyre për të mirën e popullit, ndërsa ju keni shkel mbi popullit për rehati personale”, tha Sela.