Maqedoni

Policia e Maqedonisë ndërpret transportin e drogës nga Shqipëria në Greqi, arrestohen gjashtë persona

Ministria për Punë të Brendshme informon se më 12.10.2021 nga punonjësit e policisë nga Departamenti i Policisë Kriminale – Sektori për Tregtinë e Paligjshme të Drogave, Armëve dhe Substancave të Rrezikshme, në një aksion policor, u privuan nga liria 6 persona dhe sekuestruan 67.5 kg marihuanë, me vlerë prej rreth 200,000 euro.

Nga MPB thonë se më 12.10.2021 pasdite nga oficerët e policisë në afërsi të kalimit kufitar “Bogorodica”, në përpjekje për të transferuar në mënyrë të paligjshme dy qese me marihuanë në sasi prej 67.5 kg, u arrestuan L.M (44) dhe A.M (36), të dy shtetas të Shqipërisë. Në kuadër të hetimeve, janë siguruar dëshmi për përfshirjen edhe të katër personave tjerë, prej të cilëve dy shtetas të Shqipërisë dhe dy të Maqedonisë së Veriut.

“Menjëherë pas kësaj, pranë fshatit Stojakovo, u arrestua T.H (38) nga Republika e Shqipërisë, ndërsa pas një kontrolli në shtëpinë e V.D (41) nga fshati Stojakovo, ku u gjet edhe E. B. (29 ) nga fshati Popçevo, Strumicë, edhe këta dy persona ishin privuar nga liria. Anëtari i gjashtë i grupit kriminal A.K (37), shtetas i Shqipërisë, i cili ishte në arrati, u privua nga liria sot, rreth orës 13.30, në zonën e Kërçovës”.

“Sot, Ministria e Brendshme do të ngrejë akuza kundër gjashtë personave në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sipas nenit 215 paragrafi 3 i Kodit Penal”, thonë nga MPB.