Maqedoni

Halimi: Në mandatin e ri do të ndërtojmë dy shkolla fillore në komunën e Haraçinës

Ne në Komunën e Haraçinës flasim me vepra dhe punë konkrete dhe kështu do të vazhdojmë më fortë në mandatin e dytë, porositi para bashkëqytetarëve të saj kandidatja për kryetare të Komunës së Haraçinës nga LSDM-ja dhe Koalicioni, Milikie Halimi.

Ajo theksoi se në 4 vitet e kaluara ia ka kushtuar punës dhe realizimit të projekteve për “më të mirën” e çdo banori të Haraçinës.

“Për herë të parë në Haraçinë jemi duke ndërtuar kopsht për fëmijët tanë, do të ndërtojmë shkollë fillore edhe atë një në Haraçinë dhe një në Majancë”, theksoi Halimi.

Ajo paralajmëroi se në mandatin e ardhshëm çdo shtëpi do të lidhet në kanalizim dhe do të ndërtohen stacione pastrimi ndërsa në zonën e deposë së paligjshme do të bëhet një park për të gjithë adhuruesit e natyrës.

“Haraçina vazhdon përpara. Mojanca, Grushina, Orllanca dhe Haraçina e meritojnë më të mirën prandaj më 17 tetor votoni për “Më të mirën”, rrethoni numrin 12 për edhe një fitore të madhe të LSDM-së dhe Koalicionit në Haraçinë”, bëri thirrje kandidatja për kryetare të Komunës së Haraçinës, Milikie Halimi.