Bekteshi: E ndjekim me vëmendje situatën me çmimet e produkteve ushqimore
“Nëse është e nevojshme do t’i përdorim mekanizmat që të mos ketë rritje shokuese të çmimeve”.
Këtë e tha sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, në lidhje me paralajmërimin e djeshëm të Odës Ekonomike, se do të ketë rritje të madhe të çmimeve të produkteve ushqimore.
Pas takimit me esnafin e Çarshisë së Vjetër në Shkup, Bekteshi tha se situata ndiqet me vëmendje.
“E ndjekim me vëmendje situatën në pjesën e fushën e zinxhirit global të furnizimit, sidomos me produktet ushqimore. Këtë e treguam edhe gjatë pandemisë. Sigurisht që ka mekanizma, veçanërisht nëse i referohemi Ligjit për tregti ku për produktet bazë mund të marrim vendime për ngrirjen së çmimeve të caktuara, pavarësisht sa është çmimi i tij në produktet ushqimore ose lëndët e para që importohen ose shiten drejtpërdrejt në shitje të mëdha dhe të vogla”, tha ministri Bekteshi.
Ai tha se Qeveria punon për rritjen e pagave në sektorin privat dhe publik, fillimisht në rritjen e pagës minimale, e cila sipas tij, do të çojë në rritjen e pagave tjera.