MaqedoniZgjedhje Lokale 2021

Fushata zgjedhore në RMV, partitë politike kanë vazhduar me tubime dhe aktivitete parazgjedhore

Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale kanë vazhduar me aktivitete të fushatës zgjedhore, duke promovuar kandidatë e tyre për kryetar komunash dhe këshilltarë komunal dhe duke realizuar takime të ndryshme me qytetarët, transmeton Portalb.mk.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev para banorëve të Pehçevës, tha se kandidatët e kësaj partie për kryetar komunash, janë ofertë për rrjedha moderne zhvillimore, si dhe premtoi projekte kapitale afatgjate.

Lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski në tubimin që mbajti në Tetovë, prej ku porositi se qytetarët në këto zgjedhje do të vendosin nëse do të zgjedhin rrugën e reformave vizioneve, strategjisë dhe ardhmërisë, gjë që sipas tij do të ndodhë, në qoftë se fiton VMRO – DPMNE.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti para banorëve të Velesit, tha se ka shumë projekte që do të realizohen përmes kuadrove që, sipas tij, do fitojnë në këto zgjedhje për kryetarë komunash, që do të zbatojnë programin të cilin para qytetarëve dalin dhe e premtojnë.

Liderët e partive Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Zijadin Sela dhe Afrim Gashi, të cilët në këto zgjedhje garojnë në koalicion, kanë promovuar sot programin e kandidatit të Komunës së Tearcës, Nazim Taipi. Në tubimin me qytetarët, ata kanë ngritur shqetësimin për ikjen e të rinjve. Sela ka theksuar se, këto zgjedhje janë një betejë për ndryshim, për demokraci, për perspektivë dhe parandalim të migrimit. Ndërsa, Gashi ka thënë se, tani është moment kyç që të ndalohet ikja e të rinjve. Sipas tij, patriotizëm i vërtetë është që të kthehen të rinjtë dhe të krijohen kushte për jetë këtu.

Lideri i Lëvizjes Besa, njëherit edhe kandidat për kryetar të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka realizuar takim ne qytetarët dhe pronarët e bizneseve që gjenden në bulevardin Ilinden. Ai para tyre premtoi se bëhet kryetar i kësaj komune, do ta “rindërtojnë” modelin e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenien ekonomike përmes investimeve kapitale dhe investimeve të huaja, projekteve lokale, iniciativës ndërmarrëse, zhvillimit të agrobiznesit, agroturizmit dhe turizmit rekreativ e kulturor, tërheqjen e investimeve të huaja direkte në zonën ekonomike të Tetovës, lehtësirave fiskale dhe administrative.

PDSH ka mbajtur sot tubim në Drenovac – Tetovë. Në këtë tubim pjesëmarrësve i është drejtuar edhe lideri i partisë, Menduh Thaçi.

“Pse ne vazhdojmë t’i kemi këto telashe, pse ne vazhdojmë t’i kemi këto probleme, pse rinia ik jashtë, pse jemi qyteti në gjendje katastrofale infrastrukturore, pse kemi mungesë të ujit, pse na e ndotin ajrin, këto të gjitha i përfshin platforma e PDSH-së”, tha mes tjerash ai.

Kandidatja e pavarur për kryetare të Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, realizoi takim me banorët e Butelit.

“Projekti im strategjik është qarkore e re e brendshme në Gazi Babë dhe Butel. Në program parashohim edhe korsi të reja për biçikleta nga Buteli nëpër Çair drejt Qendrës, linja të reja të autobusit dhe stacione të autobusit në çdo vendbanim, pastrimin e deponive të egra, stacion të ri të zjarrfikësve në Komunën e Butelit me kapacitet për pesë automjete të zjarrfikëve, parqe të reja dhe hapësira të gjelbërta, sistem të ri të mençur për funksionimin e Shkupit”, premtoi ajo.

Nisma “Më mirë për Tetovën” sot zhvilluan takime në fshatin GAJRE, ku gjatë bashkëbisedimit me banorët i nxorën në sipërfaqe problemet në vijim: mungesa e rrjetit të internetit, i cili gjatë kohës së pandemisë e ka pamundësuar zhvillimin e procesit arsimor, mungesa e sistemit të ujësjellësit funksional dhe furnizim jo sistematik me ujë të pijshëm, nevojë për ngritjen e kapaciteteve të komunitetit për përfshirje aktive edhe të diasporës për zgjedhje të problemeve lokale, përkrahje institucionale në promovimin e prodhimeve bio dhe ruajtja e bagëtisë si mundësi vetëpunësimi dhe zhvillimit të ekoturizmit, është në zhdukje të sipër.