Maqedoni

Dita e fundit e regjistrimit të popullsisë në Maqedoni

Sipas Ligjit për Regjistrim, sot është dita e fundit e procesit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Deri tani janë regjistruar 1.768.710 persona, 548.694 amvisëri dhe 795.494 banesa. Nga diaspora deri në mëngjesin e djeshëm janë vetë-regjistruar 201.247 persona.

Drejtori i Entit Shtetëror për Statistika Apostoll Simovski, ka thënë se nuk është kërkuar që të zgjatet afati i regjistrimit.

Ndërsa edhe zëdhënësit e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Dushko Arsovski dhe Muhamed Hoxha, theksuan se çështja e zgjatjes së afatit të regjistrimit nuk u diskutua në mbledhjen e fundit të Qeverisë dhe se të gjitha kapacitetet synojnë përfundimin e operacionit brenda afatit ligjor, gjegjësisht deri sot në mbrëmje.

“Sigurisht fjalën e fundit do ta ketë Enti Shtetëror i Statistikës. Informacionet nga atje janë se më pak se dy ditë para përfundimit të regjistrimit në terren në të gjithë vendin, bëhen kontrolle përfundimtare për lëshime eventuale dhe qarqet e regjistrimit tashmë po mbyllen, në Shkup ku ka koncentrim më të lartë të popullsisë dhe të gjitha kapacitetet e regjistrimit në dispozicion janë në terren dhe vizitojnë familjet që nuk janë vizituar deri më tani. Ky aktivitet do të zbatohet deri në fund të regjistrimit, domethënë deri nesër, e enjte deri në orën 20:00″, theksuan dje zëdhënësit.

Ditë më parë, Enti Shtetëror për Statistikë do u mundësoi të gjithë atyre qytetarëve, të cilët për ndonjë arsye nuk arritën të realizojnë kontakt me regjistruesin, i cili ka kaluar në rrethin e tyre të regjistrimit, por nuk i ka gjetur, të mund të regjistrohen në lokacione të caktuara në komunën e tyre.