Lajen sot në Shkup, nesër Varheji
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen sot pasdite do të udhëtojë për vizitë në Shkup me ç’rast midis tjerash me liderët e vendit do të bisedojë edhe për kontestin me Bullgarinë. Siç njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli, nga Komisioni Evropian nuk dëshirojnë të zbulojnë në ç’drejtim do të jenë bisedimet në Shkup dhe as nëse do të ketë mesazhe për Bullgarinë lidhur me procesin e bllokuar të BE-së për Maqedoninë e Veriut, ndërsa më shumë detaje për bisedimet do të kumtohen pas takimit. Tani për tani mesazhi i vetëm që e transmetojnë shërbimet e Fon der Lajen është se “BE-ja i qëndron afër rajonit”.
“Ajo do të takohet me liderët dhe do të bisedojë për marrëdhëniet bilaterale me BE-në dhe çështjet rajonale, perspektiva për negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut është pjesë e diskutimit më të gjerë, qëllimi i kryetares është ta konfirmojë përkushtimin e saj ndaj rajonit dhe perspektivën për negociata për anëtarësimin në BE me këto vende kur koha dhe kushtet do të jenë të mira dhe negociatat do të përfundojnë”, tha Dana Spinant, zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Fon der Lajen do të pritet nga kryeministri Zoran Zaev në platonë para Qeverisë, ndërsa më pas do të mbajnë takim në të cilin do të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Zaev dhe Fon der Lajen do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp në kinemanë Frosina në QKM, e cila është rinovuar me mjetet e BE-së.
Më vonë, Fon der Lajen do të takohet edhe me presidentin Stevo Pendarovski, ndërsa do të marrë pjesë edhe në darkën që do ta organizojë shefi i shtetit në prani të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi dhe përfaqësues të lartë të tjerë.
Shkupi është ndalesa e dytë e Fon der Lajen në turneun e saj nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, qëllimi i së cilës është ta konfirmojë përkushtimin e BE-së drejt rajonit. Nga 28 deri më 30 shtator ajo do t’i vizitojë gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga Shqipëria.Vizita në rajon e shefes së KE-së ndodhë një javë para Samitit BE – Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet më 6 tetor në Slloveni me liderët e rajonit. Nga Bashkimi Evropian insistojnë se ky samit nuk do të jetë “samit për zgjerimin”, por mundësi që të bisedohet për marrëdhëniet e BE-së dhe rajonit. Një ditë pas Fon der Lajen, nesër në Shkup do të vijë edhe eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji, i cili javën e kaluar ishte në Bullgari ku bisedoi për tejkalimin e bllokadës bullgare për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut në BE. Siç njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli, informacionin për vizitën e Varhejit e konfirmuan shërbimet e Komisionit Evropian. Programi i vizitës akoma është duke u finalizuar, por me kryeministrin Zoran Zaev është e sigurt se do të takohet.