po qëndron “grupi i zjarrit” pas Fatmir Limanit? Musa Xhaferi: Limani është kandidat i pavarur
Fatmir Dehari sërish është kandidati i BDI-së për Kërçovën në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Por a janë të gjithë integristët të unifikuar për ta mbështetur kandidaturën e tij?
Dy ditë më parë në shënimin e 23 vjetorit të rënies së Beqir Limanit, Musa Xhaferi dhe Izet Mexhiti u panë bashkë me Fatmir Limani, i cili është kandidat i pavarur për Kërçovën.
I ashtuquajturi “Grup i zjarrit” madje disa herë është parë krah për krah me Limanin, andaj në publik janë ngritur dilema se kë do të mbështesin më 17 tetor.
TV21 kërkoi përgjigje nga Musa Xhaferi por ai nuk u përgjigj konkretisht. Tha se atë ditë vetëm kanë bërë homazhe dhe se nuk ka qenë aktivitet politik.
“Nuk do të prononcohem, Fatmir Limani është kandidatë i pavarur, ka shtabin e tij, ka njerëzit tij dhe listën për këshilltar më mirë të drejtoheni atje”, tha për TV21, Musa Xhaferri.
Ndryshe Fatmir Limani do të mbështetet nga partia Alternativa, e cila tërhoqi kandidatin në këtë komunë, duke kërkuar edhe nga partneri i koalicionit Aleanca për Shqiptarët që ta bëjë të njëjtën.
Por nga ASH-ja ende nuk kanë vendosur se cilin kandidat do të përkrahin në Kërçovë.
“Është çështje të cilën unë nuk do të dua ta diskutoj dhe të shprehem pa u ulur me strukturat e mia që i kam atje në Kërçovë, unë kam struktura në Kërçovë”, deklaroi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Në zgjedhjet e 17 tetorit në Kërçovë do të garojnë 4 kandidatë për kryetar komune, Fatmir Limani si i pavarur, Fatmir Dehari si kandidatë i BDI-së, Aleksandër Jovanovski nga VMRO-DPMNE-ja dhe Gjorgji Bileski nga Makedonska Era. Në këto zgjedhje përveç Aleancës, kandidatë nuk do të ketë as LSDM-ja. Ata do të garojnë vetëm me listë këshilltarësh bashkë me koalicionet.