Maqedoni

Nesër mbahet mbledhja e përbashkët e qeverive të Maqedonisë dhe Kosovës

Nesër në Shkup do të mbahet mbledhje e përbashkët mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës. Në këtë mbledhje pritet harmonizimi i disa Marrëveshjeve/Memorandumeve, njoftoi Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë, shkruan Alsat.

“Mbajtja e seancës së përbashkët me Republikën e Kosovës konfirmon vazhdimësinë e raporteve të mira ndërfqinjësore, duke pasur parasysh se mbledhje të tilla janë mbajtur edhe me vendet e tjera fqinje. Përfitimet nga këto takime janë thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, komunikimi më i mirë i qytetarëve dhe bizneseve nga të dyja palë, projekte me interes të ndërsjellë, bashkëpunim më i mirë ndërkufitar dhe kështu me radhë. Në mbledhjen e përbashkët qeveritare do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh, përkatësisht memorandume, me të cilat do të thellohet dhe do të përforcohet bashkëpunimi mes dy vendeve”, deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.

Sipas tij marrëveshjet, përkatësisht memorandumet janë nga fusha e infrastrukturës, diasporës, energjetikës, ekonomisë, turizmit, sigurisë, inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik dhe të tjera.