Ylber Pilku i Dibrës së Madhe vazhdon lobimet në Amerikë për çështjen shqiptare
Veprimtari shqiptar në Nju Jork Ylber Pilku, nuk ndal aktivitetet dhe lobimet për çështjen shqiptare. Ai sot është takuar me Eric Adams, politikan i njohur i Partisë Demokratike të Presidentit Xho Bajden. Adams është kandidat për kryetar të Nju Jorkut, garë që pritet ta fitojë bindshëm në zgjehdjet e nëntorit, duke pasur parasysh se Nju Jork është qytet i demokratëve.
Në këtë takim, Pilku e ka njoftuar Adamsin për përkrahjen e madhe që lobi shqiptar i jep atij në zgjedhjet e ardhshme, kurse janë diskutuar edhe nevojat e komunitetit shqiptar në Nju Jork.
Pilku deklarohet i kënaqur nga takimi me Eric Adams, i cili pritet të vijë në vend të kryetarit aktual të Nu Jorkut, Bill Di Blasio.
“Ai është mik i madh i shqiptarëve dhe i tillë do të mbetet edhe pasi të zgjedhet kryetar i Nju Jorkut sepse jam i sigurt se do fitojë bindshëm në zgjedhje”, thotë Ylber Pilku pas takimit.
Pse është realizuar ky takim?
“Sepse Eric Adams është politikan me ndikim jo vetëm në Nju Jork por në mbarë Amerikën. Shqiptarët gabojnë nëse mendojnë se pas pavarësimit të Kosovës nuk ka më nevojë për lobim për çështjen shqiptare. Armiqtë tanë punojnë pa ndërpre, prandaj edhe ne duhet të punojmë maksimalisht. Kemi punuar me dekada e shekuj për të fituar këtë që e kemi sot, por duhet punuar edhe më tepër për ta ruajtur atë që e kemi fituar. Po e përsëris, armiqtë tanë nuk flenë por punojnë vazhdimisht. Çështja shqiptare mbrohet në Amerikë”, thekson Pilku.
Po kush është Ylber Pilku?
U lind në Dibër të Madhe. Rinia e tij e hershme ishte e vrullshme si koha e atyre viteve. Madje, ndër shokët e tij ishte, ndofta, më i vrullshmi, më i shkathëti, më çapkëni. Edhe sot, kur bie fjala, ai kujton jo pa nostalgji ato vite, të cilat kanë lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën e tij. Kujton shumë shokë e miq të vet, kujton edhe plot episode të asaj kohe. Apo nuk i tregon rrjedhshëm, me humor e pothuajse ekzakt, si kanë ndodhur atëherë.
….Pilket janë një fis i nderuar e i respektuar në Dibër e jashtë saj për veprimtari atdhetare e patriotike. Këtë veprimtari patriotike, të parët, e nisën gjashtë vëllezërit: Mehmet, Mahmut, Sadik, Ramiz, Nazif dhe Sali Pilku, të cilët ishin delegatë në Kongresin e Manastirit, në atë kongres që vendosi fatet e mëtejshme të gjuhës sonë të bukur e të ëmbël shqipe. Që të gjashtë vëllezërit dhe djemtë e tyre janë shquar si intelektualë të kohës dhe si burra që kanë kryer funksione të larta shtetërore, deri në rang ministri e deputeti, si Mehmet Pilku. Një fotografi të tyre, të atyre viteve, por të zmadhuar, Ylberi e mban në një vend të dukshëm në zyrën e tij, ashtu si ka vënë në një kornizë të bukur edhe fotografinë e babait, Jasharit, e të nënës së tij.
Jashari është rritur jetim, sepse babai i tij i vdiq, kur ai ishte vetëm 5 vjeç. Edhe babai i tij qe një zogist i vendosur. Si i tillë, ai, për shumë vite punoi në radhët e xhandarmërisë shqiptare dhe kontribuoi për vendosjen e rendit e të qetësisë në ato vite të hershme. Ndërsa, në kohën e Italisë, Jashari ka qenë magazinier në magazinat qendrore në Tiranë. Këtë mundësi ai e shfrytëzoi për të furnizuar qytetin e tij, Shehrin, dhe Dibrën, pa kursim e me çfarë i nevojitej. Edhe pesë vëllezërit e Ylberit: Fatmiri, Besniku, Xhaferi, Asllani dhe Fitimi janë njerëz që nderohen e respektohen, kuqo që janë.
Ylber Pilku me Bill Di Blasio, kryetar aktual i Nju Jorkut
Shkollimin e detyrueshëm, Ylberi, e kreu në vendlindje.
Në Amerikë ka ardhur më 4 janar të vitit 1988. Dy-tri vitet e para, ai, i kaloi me vuajtjet dhe vështirësitë e fillimit, ashtu si ka ndodhur me të gjithë, ka punuar pa u lodhur në ndërtim. Pas tri vitesh Ylberi nisi biznesin e vet,po në fushën e ndërtimit. Sot ka një kompani ndërtimi, që është e specializuar për skelat e të gjitha madhësive, dhe për të gjithë lartësitë. Madje, për shumë kohë, qe dhe firmë lider në SHBA. Aktualisht, aktivitetin e tij ndërtues në SHBA e zhvillon në Konektikas, Nju Jork dhe në Nju Xhersi. Ka dhënë kontribut edhe për punësimin e bashkëvendësve të tij. Të panumërt janë ata dibranë, që kanë ardhur në SHBA dhe që Ylber Pilku i ka ndihmuar, që të sistemohen në punë dhe të kalojnë vështirësitë e fillimit, që në shumë raste dhe pothuajse për të gjithë nuk janë të vogla.
Si jo të gjithë, Ylberi ka dhe një familje shembullore. Të gjithë janë angazhuar në punë në kompaninë e tyre, duke filluar nga Vjollca, djali Valoni dhe vajza Blerona. Madje, Valoni, edhe pse nuk është më shumë se 30 vjeç, drejton tani edhe kompaninë. Është një djalë i dashur me të gjithë, i qetë dhe i zhdërvjellët në menaxhimin e punëve të kompanisë. Telefonatat në telefonin e tij nuk kanë të sosur. Dikush kërkon punë, dikush jep punë për të ndërtuar, dikush ka nevoja të tjera. Blerona, e cila ka mbaruar dhe studimet universitare, gjithë ditën ndjek punën e kompanisë. Atdheu, djali i tij i madh, ka kryer studimet universitare si një student i shkëlqyer.
Humanizimi është në shpirtin e Ylber Pikut. Nuk ka një rast që dikush t’i jetë drejtuar për ndihmë e të mos e ketë ndihmuar. Ndaj, të gjithë e njohin, të gjithë e duan dhe të gjithë e respektojnë. Kushdo ndjehet mirë kur takohet me Ylberin. Është shumë i komunikueshëm. Flet qetë e ngadalë, çiltër, krejt dibrançe, pa deformuar asnjë germë e asnjë fjalë të veçantë. Sponsorizimet e tij për libra, për festa, për sëmundje, raste vdekjesh etj. janë të shumta. Me dhjetëra janë historiranët dhe shkrimtarët që Ylberi, me shumë bujari ka mbështetur e financuar botimet e librave të tyre. Kështu, ai ka fituar respektin e shumë njerëzve për shpirtin e tij human, për gatishmërinë e tij që t’i ndihmojë të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë e mbështetje. Në jo pak raste, ai paguan në lokal për miq e shokë, për të njohur të tij, edhe pse ata nuk janë në tavolinën e vet.
Kush s’e di dhe kush s’e pranon faktin që Ylber Pilku është dhe një veprimtar i spikatur në SHBA?! Me pak fjalë, nuk ka aktivitet atdhetar, patriotik e kulturor që zhvillohet nga shqiptarët dhe dibranët me banim në State Island, Nju Jork, Nju Xhersi, Boston, Brooklyn e kudo në SHBA, ku Ylber të mos dallohet ndër gjithë të tjerët. Ylber Pilku është i kudondodhur dhe ndër më të gatshmit për të kontribuuar dhe financiarisht, për të kontribuar dhe në organizimin e aktiviteteve të shumta që zhvillon ky komunitet shqiptar i dalluar për ndjesi e veprimtari kombëtar e kulturore.
Ylber Pilku është ndër organizatorët dhe kontribuuesit e aktivitetit të përvitshëm të ngritjes simbolike të flamurit shqiptar në mes të Nju Jorkut, në Manhatten dhe të veprimtarive të tjera kulturore e përkujtimore historike. Ylberi është organizator e kontribuues i të gjithë protestave në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve kudo në botë, kurdoherë në ballë të protestave dhe para selisë së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork. Ylberi është kurdoherë në mesin e veprimtarive politike që zhvillohen ne Amerikë me dibranët dhe me shqiptarët. Kudo Ylberi është i pranishëm dhe gjithnjë kontribuues kryesor.
100-vjetori i Kryengritjes së Përgjithshme të Dibrës kundër pushtuesve serbë dhe eksodi i parë masiv dibran janë një nga ngjarjet më kulmore në historinë shekullore të Dibrës dhe ndër luftërat e saj më heroike. Kjo ngjarje, në shtatorin e vitit 2013, u përkujtua në Shqipëri me dy aktivitete të rëndësishme, si sesioni shkencor i organizuar në sallone Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, më 19 shtator, nga Unionin i Krijuesve Dibranë (Shkrimtarë, Historianë, Gazetarë, Poetë dhe Artistë Dibranë), me kryetar zotin Fatos Daci dhe “Bashkësia Dibrane” me kryetar zotin Faruk Borova, si dhe një tjetër sesion shkencor dhe një darkë të organizuar në qytetin e Dibrës së Madhe nga Komuna e Dibrës.
Me këtë rast, Ylber Pilku mori avionin dhe erdhi në Dibër të Madhe. Në Dibër organizoi dy autobus me dibranë e dibrane dhe me shpenzimet e tij u krijoi mundësinë rreth 100 burrave e grave nga Dibra e Madhe që të ishin të pranishëm në aktivitetin e Tiranës, ndërsa në atë të Dibrës së Madhe Ylberi ishte sponsori i vetëm e kryesor i sesionit shkencor dhe i darkës së pasur e shumë bujare për rreth 500 të pranishëm. Dhe ky është një kontribut me shumë vlera, por dhe një tjetër dëshmi se Ylber Pilku është nga djemtë më aktiv e më i përkushtua për Dibrën, që e lindi dhe Dibrën që e rriti dhe i dha emër.
Edhe bashkëshortja e tij, Vjollca, është një dibrane tipike, një shtëpiake shembullore, një bashkëshorte e denjë dhe një nënë shembullore. Nuk ka si të ishte ndryshe kjo bijë e Burhanit dhe e Shazines, kjo bijë e Markajve, e këtij fisi me histori të madhe. Ajo, së bashku me Ylberin, i ndihmojnë Valonit në drejtimin e kompanisë “Pilku Konstruksion”. Edhe Vjollca, ashtu, si Ylberi, gjithnjë është e gatshme të vën pasurinë e saj në shërbim të komunitetit dhe të veprimtarive mbarë dibrane që zhvillohen në SHBA dhe në Dibër të Madhe e në Peshkopi.
Për sukseset në biznes të Ylber Pilkut, për aktivitetin atdhetar, shoqërore e kulturor dhe shpirtin prej humanisti të tij kanë botuar shkrime gazetat “Iliria”-SHBA, “Fakti” -Maqedoni, “Dibra” dhe “Rruga e Arbrit” në Shqipëri të autorëve Vehbi Bajrami, Beqir Sina, Fatos Daci etj.
Ylber Pilku është personazh i një përmbledhje enciklopedike të V. Bajramit dhe i “Enciklopedisë së Dibrës” të autorit Fatos Daci.
Ylber Pilku është publikuar në shumë faqe interneti dhe agjenci të ndryshme mediatike, si: “Prishtina Press”, “Bota Sot”, Radio “Jehona”, “Alba TV”, “ARB” TV Agjencia INA-Maqedoni etj., fakt që dëshmon se popullariteti i tij është i shtrirë në kohë dhe në hapësirë, gjithnjë në rritje.
Shqipëria, vëllezërit shqiptarë, kudo që ndodhen dhe vendlindja e tij janë në mendjen e në zemrën e Ylberit. Jo të pakta kanë qenë ndihmat materiale e financiare, që ai ka dhënë në kohë të vështira për vëllezërit e tij në Kosovë e në Maqedoni. Edhe sot, telefonatat e Ylberit me miq e shokë në Dibër të Madhe janë krejt të zakonshme.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me këtë pasardhës të një dere me emër si ajo e Pilkeve dhe nip të fisit më të shquar dibran, i Qokut të Iljaz Pashës e të Xhemal Pashës në Kllobçisht të Maqellarës, pasardhëse e fisit më të vjetër e më me zë të Gro-pjave e të gjeneralit famëmadh të Skënderbeut, Zaharija Gropa.
Zyra e tij është si një muze i vërtetë i historisë së kombit shqiptar. Në zyrë ai mban një pllakat të madh me fotografitë e të gjithë patriotëve dhe të burrave të shtetit shqiptar, bustin e Heroit Kombëtar Gjergj Kas-trioti Skënderbeu, të Lekë Dukagjinit, të Nënë Terezës, të Adem Jasharit, fotografi të Sali Berishës, Ymer Kel-mendit, avokatit Avni Spahiut, ish ministrit Ymer Selmani, Piter Fejit, senatorit Eliot Engëll, Xhejms Vakës, ambasadorit Filip Riker, të avokatit Bill Eduars etj.
Ka, gjithashtu, plot relikte shpatash, revolesh e shumë gjera të tjera të vjetra e me përmbajtje historike. Kushdo që viziton zyrën e tij njihet edhe me disa vlerësime mirë-njohjeje, që Ylberi ka marrë për punën e kontributin e tij. Dhe, të gjithë këto janë pak për këtë bir të nderuar të Dibrës që e lindi dhe mëkoi me cilësitë më të mira të njeriut.