Rajon - Botë

Kërkohet dorëheqja e kryeministrit malazez dhe Abazoviqit

Pasi thirrjes së priftërinjve “kur ushtria kthehet në Kosovë” në Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë reaguar 107 intelektualë malazezë. Intelektualët malazezë i kanë dërguar letër të hapur kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq dhe diplomatëve të BE dhe NATO.

Në letër thuhet se qeveria malazeze është shërbëtore e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Pas gjithë situatës së krijuar të dielën në Cetinje, ata po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Kivokapiq dhe zëvendëskryeministrit Abazoviq.

“Qeveria malazeze është shërbëtore e Aleksandër Vuçiqit dhe Kishës Serbe, urdhëratë e të cilëve i zbatoni pa diskutim. Sikur ndonjëri nga demonstruesit të rezistonte në mënyrë më aktive, është e qartë se forcat e juaja të rregullta dhe ato kriminale ishin të gatshme edhe për likuidime! Kësi lloj reprezalje nuk ka pasur në Mal Zi as viteve të errëta 90-ta në kohën e pushtetit të Millosheviqit. Kryeministri Krivokapiq dhe zëvendëskryeministër Abazoviq, ju ftojmë të jepni dorëheqje të parevokueshme dhe pranoni përgjegjësinë për krimet e kryera. Ashtu do të ndaloni eskalimin e mëtutjeshëm të konfliktit që e keni shkaktuar sipas urdhrit të huaj”, thuhet mes tjerash në letrën e intelektualëve.

Ndërsa diplomatëve dhe shteteve të BE-së dhe NATO-së në Mal të Zi iu është thënë që të mos i mbyllin sytë dhe të mos heshtin ndaj presionit të cilin po e ushtron pushteti ndaj qytetarëve të tij.

“I ftojmë diplomatët e shteteve të BE dhe NATO në Malin e Zi, që mos të mbyllin sytë dhe me deklarata pa përmbajtje, të heshtin ndaj represionit të cilin po e ushtron pushteti ndaj qytetarëve të tij. Pushteti shovinist dhe nacional homogjen, dëshiron që nga Mali i Zi i qytetarëve, të krijoj një krahinë shoviniste dhe nacional homogjene të Botës serbe në të cilën nuk do të ketë vend për jo-serb. Ne këtë nuk do e pranojmë dhe nuk guxojmë ta pranojmë! Skenari i njëjtë, nën petkun e projektit të Serbisë së madhe, e ka shkatërruar Jugosllavinë dhe u përcoll me gjenocid, spastrim etnik dhe krime më të rënda të luftës pas Luftës së Dytë Botërore. Vazhdimi i realizimit të projektit të Botës serbe do sjell gjakderdhje dhe luftë, i cili nuk do të ndalet në kufijtë e Malit të Zi. Prandaj, ftojmë qeveritë dhe diplomatët e shteteve anëtare të BE dhe NATO, sikurse edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, që në mënyrë të vendosur t’i kundërvihen ringjalljes së projektit fashist të Botës serbe. Bëjeni këtë sa nuk është bërë vonë, që nesër të mos jeni të detyruar të angazhoheni edhe më shumë në eliminimin e pasojave që vazhdimi i realizimit të Botës serbe bartë mbi paqen në regjion”, thuhet në letrën e hapur.